Dragash, 24 shkurt 2023 – Në Komisionin për të Drejtat e Njeriut të Kuvendit të Kosovës, të cilin e kryeson deputetja nga komuniteti boshnjak, Duda Bale, në janar të këtij viti është dorëzuar një peticion me kërkesën për njohjen e komunitetit bullgar në Kosovë, si bashkësi në vete. Kërkesa mban vulën e një organizate joqeveritare me seli në Dragash, e quajtur “Bullgarët e Bashkuar të Kosovës”, ku i është bashkëngjitur edhe një peticion me rreth 500 nënshkrime. Nënshkrues të peticionit janë boshnjakët dhe goranët nga komuna e Dragashit, Prizrenit dhe Pejës. Pas disa javësh, nënkryetarja e Bullgarisë, Iliana Jotova, e shoqëruar nga ambasadori i Bullgarisë në Kosovë, Hristo Gudjev, vizitoi komunën e Dragashit, ku tha se në disa fshatra të kësaj komune dhe në atë të Prizrenit jetojnë rreth 15 mijë bullgarë. Ky numër është përmendur edhe në takimet e zyrtarëve bullgarë me krerët e shtetit të Kosovës.
Pas takimit me nënkryataren bullgare, e cila qëndroi më 18 shkurt në Dragash, kryetari Xheladini u shpreh se, e çmon vizitën që përfaqësuesit e shtetit të Bullgarisë i bënë Komunës së Dragashit, duke i falënderuar ata për mbështetjen financiare që populli dhe taksapaguesit bullgarë kanë dhënë për realizimin e disa projekteve në komunën e Dragashit. “Me ndihmën e Bullgarisë prej 35 mijë eurosh, kemi pajisur QMF-në e fshatit Krushevë para dy viteve. Pastaj, kemi renovuar shkollën në fshatin Kërstec, me 25 mijë euro. Gjithashtu, këtë vit Komuna e Dragashit planifikon ta vazhdojë bashkëpunimin me ambasadën e Bullgarisë për realizimin e projektit të parkut zbavitës për fëmijë, i cili pritet të kushtojë rreth 50 mijë euro”, pati thënë Xheladini. Ndërkaq, nënkryetarja e Bullgarisë, Iliana Jotova, pasi e kishte falenderuar Xheladinin për mikpritje, e kishte ftuar që ta vizitojë shtetin e Bullgarisë.
Por, këto tentime bullgare duket se i kanë shqetësuar politikanët e komunitetit boshnjakë dhe atij goranë, të cilët po e shohin si kërcënim për tjetërsimin e komuniteteve të tyre. Deputetja në Kuvendin e Kosovës, Duda Bale, ka reaguar, duke thënë se për të është shqetësuese deklarata e zëvendëspresidentes bullgare. “Deklarata është, para së gjithash, e pasaktë dhe tendencioze, me oreks të qartë për asimilimin e boshnjakëve dhe goranëve. Të irrituar nga aktivitetet e tilla, sigurisht që nuk do të qëndrojmë pasivë. Fillimisht do të kërkojmë verifikimin e nënshkrimeve nga peticioni sepse, kemi dyshim të bazuar, se disa nga nënshkruesit janë manipuluar”, është shprehur znj. Bale, duke iu drejtuar me një letër të hapur edhe mysafirëve që vizituan Dragashin.
“E nderuara zv-presidente, i nderuar ambasador… Fakti që fëmijët tanë shkojnë për të studiuar në vendin tuaj, nuk ju jep të drejtë t’i shtetëzoni, ata dhe familjarët e tyre, sepse nuk keni rrënjë historike të lidhura me ne dhe vendin tonë. Në kohën kur pasaporta e Kosovës ka një vlerë të kufizuar, njerëzit përdorin dokumentet e vendeve tjera, çmimet e të cilave po rriten për shkak të anëtarësimit në BE. Në një situatë, ku populli ynë ka mbetur pa kushte jetese dhe pa perspektivë të qartë, shumë janë të detyruar t’ia dalin siç dinjë dhemunden. Ata po përdorin të gjitha mjetet për të shkuar në perëndim. Prandaj, oferta e pasaportave bullgare për banorët tanë është një kashtë shpëtimi, të cilën ju e përdorni për të arritur qëllimet tuaja. Asnjëri nga këta njerëz nuk e ka ndërmend të jetë bullgar apo të ndihet kështu por, për shkak të situatës së përmendur më sipër, ata bëhen gjithçka, nëse kjo do t’iu ndihmonte të lëvizin në Perëndim. Ndihma bullgare në këtë rast është vërtet cinike. Unë nuk dua të mendoj për arsyet, se përse po e bëni këtë. Nëse kjo është për shkak të fondeve nga Bashkimi Evropian për diasporën ose keni oreks më të madh, duke përfshirë vendet e tjera të rajonit, ku zhvilloni të njëjtat aktivite, kjo është çështje e juaja. Vetëm se, ju lutem, mos na prekni ne”, ka shkruar znj. Bale
Reagim të ngjashëm ka bërë edhe këshilltari goran në Kuvendin e Dragashit, Nexhmidin Sejdillar, i cili iu ka bërë apel publik komuniteteve nga rajoni i Gorës që mos të bien pre e privilegjeve që iu ofrohen nga ky shtet por të fillojnë sensibilizimin për tu bashkuar që të gjithë. “Të nderuar qytetarë… Ardhja e zv-presidentes së Bullgarisë, Iliana Jotova, në një ditë fundjave në Komunën e Dragashit, është tregues i synimeve të pasinqerta ndaj komunitetit goran. Deklarata e agjencisë BTA, në mediat bullgare me frekuencë kombëtare, për ekzistencën e bullgarëve në 20 fshatra të Komunës së Dragashit, nuk është gjë tjetër veçse futja e vezëve të qyqes në këto anë, me synim shkatërrimin e bashkëjetesës harmonike në Gorë, në prag të regjistrimit të popullsisë, i cili pritet të mbahet në pjesën e tretë të këtij viti. Kjo është një përpjekje tjetër për ta shkatërruar dhe shfarosur komunitetin goran që jeton në zonën e Gorës, tash e tetë shekuj me të njëjtin emërtim që e përdor edhe sot. Unë, si përfaqësues i zgjedhur i goranëve në Kuvendin e Komunës së Dragashit, ju bëj thirrje për harmoni, qetësi, durim dhe unitet sepse kjo është mënyra e vetme për t’i treguar botës se kush jemi dhe për të mbrojtur krenarinë dhe dinjitetin tonë. Le të jetë e qartë për të gjithë se kemi ekzistuar, ekzistojmë sot dhe do të ekzistojmë edhe nesër”, ka shkruar Sejdillar, duke i ftuar të gjithë njerëzit me ndikim nga komuniteti goran që të organizohen tryeza diskutimi e debati për ta përgatitur komunitetin nga Gora për rëndësinë e regjistrimit të ardhshëm të popullsisë, në mënyrë që të dëshmohet se popullata e Gorës nuk mund të thyhet.