Nga: Blendiana SELAJ
• Teksa hedh një vështrim kritik, ditëve që po kalojnë aq shpejt, shoh se rrjedha e tyre nuk është aspak e mbuluar nga një mantel i errët i monotonisë. E dua jetën, ndaj dhe luftoj për të. Nuk është kurrsesi një luftë e ashpër por jo edhe e lehtë. Është një luftë e përditshme me një qëllim të vetëm; t’i jap ngjyrë ditëve të mia. Fundja, nuk është dhe aq e lodhshme, pasi mjafton të shoh pak nga vetja për ta plotësuar dhe për t’i dhënë formë botës sime shpirtërore sepse arti që jeton brenda meje më fal ëmbëlsinë e një të sapolinduri, gjallërinë e pranverës dhe zellin luftarak.
Nuk me duhet një ekspozitë madhështore apo një skenë gjigande për të shpalosur artin tim. Mjafton një mori ngjyrash të hedhura bukur në fletën e bardhë apo një fragment kënge, të kënduar spontanisht, për t’i treguar vetes se çfarë jam e aftë të bëj, ndonëse në vend të një publiku madhështor mund të jetë, thjeshtë familja apo miqtë e mi më të mirë.
E si mund t’i rezistoj një rime të bukur, ndonëse e mërmëritur nën zë, nga shoqëria ime që hedh hapa të shpejtë dhe të saktë?! Për këto, sigurisht se nuk me nevojiten duartrokitje dhe as një diplomë akademike për ta treguar publikisht botën time.
E dashuroj të bukurën dhe, kur dua diçka, e arrij realizimin me zell, duke i dhënë një formë më të bukur asaj që i jep kuptim jetës sepse, unë e dua jetën, i dua njerëzit dhe, mbi të gjitha, i dua dhe i mbroj vlerat e mia. Fundja, vetë dashuria për jetën vërteton më së miri se arti rritet brenda teje. Pastaj të bën ta shohësh botën e jashtme me një fytyrë tjetër. Ta shohësh më të bukur dhe më të gjallë. E pra, unë jam një artiste dhe askush s’më ndalon dot të jem e tillë, mbase kjo nuk ju bind aspak! Por unë jam vërtetë artiste, përderisa artin e ndjej brenda meje!