Aktivitetet javore të Policisë në rajonin e Prizrenit

Aktivitetet javore të Policisë në rajonin e Prizrenit

Prizren, 29 tetor 2024 – Drejtoria rajonale e Policisë në Prizren, Njësiti i Komunikacionit Rrugor, gjatë javës që lam pas, kanë realizuar shumë aktivitete në zonën e përgjegjësisë, ku mbulohen katër komuna në rajonin e Prizrenit.
Sipas raportit të kësaj drejtorie të policisë, janë shqiptuar 2049 gjoba për kundërvajtësit në trafik, të cilët kanë rënë ndesh me ligjin. Zëdhënësi i kësaj drejtorie, Vesel Gashi, bëri të ditur se janë ndërmarrë veprime edhe në hetimin e 11 aksidenteve me të lënduar, 22 aksidenteve të komunikacionit me dëme materiale, si dhe janë shqiptuar masa për ndalimin e drejtimit të mjeteve për 13 timonierë. “Njësitet policore nga Drejtoria Rajonale e Policisë në Prizren vazhdojnë të mbajnë pika të shumta të kontrollit në trafik, me qëllim të prezencës sa më të madhe në terren dhe parandalimit të aksidenteve në komunikacionin rrugor, me theks të veçantë të aksidenteve me fatalitet. Ndërkaq, në bazë të planit operativ për realizimin e urdhëresave të Gjykatave Themelore, gjatë javës së kaluar ka realizuar 50 urdhëresa të gjykatave kompetente për vepra të ndryshme penale”, ka thënë Gashi, duke shtuar se do të vazhdohet edhe në ditët në vijim me realizimin e urdhëresave ndaj personave që ende nuk i janë përgjigjur thirrjes së gjykatës.