Aktivitete në Dragash, në kuadër të fushatës globale kundër dhunës me bazë gjinore!

Aktivitete në Dragash, në kuadër të fushatës globale kundër dhunës me bazë gjinore!

Dragash, 25 nëntor 2024 – Policia e Kosovës, nga Stacioni Policor në Dragash, në bashkëpunim me Zyrtaren komunale per Barazi Gjinore, Lindita Piraj, kanë filluar sot fushatën globale “16 Ditë të Aktivizimit Kundër Dhunës me Bazë Gjinore”, fushatë kjo që synon të rrisë ndërgjegjësimin e qytetarëve mbi rëndësinë e raportimit të dhunës dhe mbështetjes së viktimave.
Në kuadër të kësaj fushate, para hyrjes së Komunës në Dragash, në mesditë u mblodhën akterë të ndryshëm, si nga policia, shoqata të ndryshme dhe udhëheqësit e Komunës së Dragashit, të prirë nga kryetari, Bexhet Xheladini, ku kanë qëndruar për disa minuta, duke e mbajtur të shpalosur një baner, në të cilin bëhej thirrje për ndalimin e dhunës së këtij lloji. Me ndihmën  e disa nxënësve dhe  anëtarëve të mekanizimit, kalimtarëve të rastit u janë shpërndarë disa broshura, ku bëhej gjithashtu thirrje për ndalimin e kësaj dukurie të dëmshme për familjen dhe shoqërinë.
Gjithashtu, në kuadër të kësaj fushate, në sallën e SHML “Ruzhdi Berisha” në Dragash është organizuar një ndeshje basketbolli mes vajzave, nxënëse të kësaj shkolle. Edhe në këtë ngjarje të pranishëm ishin kryetari i Komunës së Dragashit, Bexhet Xheladini, si dhe komandanti i Stacionit Policor në Dragash, Shaqir Uka.