Dragash, 11 shkurt 2014 – Kaluan dy vjet nga tragjedia që ndodhi në fshatin më të madh të komunës së Dragashit, Restelicë. Vajza që i shpëtoi kësaj tragjedie, tashmë është ambientuar në familjen e gjyshërve të saj, nga nëna, dhe vijon mësimet në Prizren.
Dy vjet më parë, më 11 shkurt të vitit 2012, një ortek i madh dëbore përfshiu Restelicën, ku rrënoi 16 shtëpi, brenda të cilave ndodheshin 11 anëtarë të familjes Reka, 10 prej të cilëve vdiqën nën dëborë. E vetmja që u shpëtua nga forcat e FSK-së, Amsera, sot jeton me gjyshen dhe gjyshin e saj në Prizren. Në shikim të parë, duket se ajo është e lumtur pranë të afërmve, të cilët thonë se i janë përkushtuar maksimalisht kësaj vogëlusheje, duke u kujdesur që t’mos e ndjej mungesën për asgjë.
Kamberit, gjyshit të Amserës, i vjen shumë keq të tregojë se kush e ndihmoi këtë vajzë, pas gjithë asaj tragjedie, nga e cila, siç thotë, vetëm Zoti e di se si shpëtoi kjo vogëlushe. “Shumë është përfolur se Amsera ka përfituar nga ndihmat e shumta. Por, përveç disa ndihmave individuale, asgjë tjetër nuk është dhënë për Amserën. Megjithatë, asaj nuk i mungon asgjë, sepse e gjithë familja jonë i jemi përkushtuar asaj për ta shkolluar”, ka thënë për RTK-në Kamber Bale, gjyshi i Amserës.
Vitin e kaluar, Amsera ka jetuar në Itali. Por, pasi gjyshërit u kthyen në Kosovë, me vete e sollën edhe vajzën, për t’mos i humbur shkollimin. “Ajo tashmë është ambientuar me familjen, pas gjithë asaj që ndodhi. InshAllah ata janë në parajsë e ne, Zoti na dhëntë fuqi për ta përballuar dhimbjen. Amsera është mirë tek ne dhe shkon në shkollë, në lagjen Arbana. Ajo për një vjet ka jetuar me ne në Itali, ku edhe ka përfunduar klasën e parë. Kur u kthyem ne, e morëm edhe vajzën dhe këtu po vijon në klasën e dytë. Është ambientuar mirë, si në familje ashtu edhe në shoqëri”, rrëfen Bale, duke përkujtuar se, mes 10 anëtarëve nga familja Reka, të cilët humbën jetën në këtë tragjedi, ishte edhe nëna e Amserës, babai dhe vëllai i saj, dy vjeç. Nga ana tjetër, kryetari i Komunës së Dragashit, Salim Jenuzi, thotë se tri familjet Reka kanë filluar së ndërtuari shtëpitë e tyre. “Kujdestari i Amserës e ka filluar edhe një shtëpi për vajzën e mbijetuar, me ndihmën tonë dhe të ministrisë. Këtë vit do të përfundojë ndërtimi i saj. Me disa ekspertë austriakë dhe mërgimtarëve, kemi vendosur disa shtylla në pllajën që është e rrezikuar nga ortekët, si dhe kemi mbjellë fidane, për ta parandaluar rrëshqitjen e borës nga këto shpate”, tha Jenuzi.
Dy vjet pas tragjedisë në Restelicë – Amsera vazhdon rritën e saj!
POSTIMI PARAPRAKVepra, jo fjalë!
POSTIMI I RADHËSNga pakujdesia e drejtuesit, automjeti shkel këmbësorin!