Humbja e “pashallëqeve” të mëdha!

bedri halimiNga: Bedri HALIMI


Rezultatet e zgjedhjeve lokale në Kosovë ishin të (pa)pritura. Të pa pritura ishin për udhëheqësit dhe personalitetet e partive (PDK, LDK, AAK), të cilët duket se ka kohë që janë shkëputur nga realiteti në Kosovë. Kurse të pritura kanë qenë për shtresën e gjerë të votuesve, të cilët kanë dashur ndryshime. Për disa mund të thuhet se kanë dashur vërtet ndryshim, kurse disa të tjerë si duket votimin e kanë përdorur si instrument, përkatësisht si ‘armë’ për ndëshkim ndaj subjektit përkatës.
Ajo çka duhet të thuhet që në fillim, është fakti se tashmë njerëzit kanë filluar të mendojnë esëll dhe jo të veprojnë si “turma pa tru”, prandaj asnjë subjekt politik nuk mund ti trajtoj më si të tillë. Rezultatet e këtyre zgjedhjeve treguan se nuk mund të luhet pafundësisht me psikologjinë e masës. Në këtë rast, për shumë arsye, do të bëjmë fjalë për PDK-në, si parti kryesore udhëheqëse në Kosovë.

Ardhja në pushtet e PDK-së dhe kulmi i sukseseve

Fillimisht duhet rikujtuar se PDK erdhi në pushtet për shkak të keqpërdorimeve të mëdha nga pushteti i atëhershëm në krye me LDK-në, e cila me veprimet e veta të papërgjegjshme kishte krijuar imazh të keq në opinion, duke u shndërruar në sinonim të keqpërdorimeve dhe keqqeverisjes. Pastaj LDK u përça pas vdekjes së liderit të saj, si dhe për faktin se PDK-ja u paraqit me alternativë të qeverisjes së mirë.
Kështu, zgjedhjet e vitit 2007 dhe më pas, treguan për një qasje serioze të PDK-së në qeverisje si në nivelin lokal po ashtu edhe në atë qendror. Që nga kjo kohë, e deri në kryerjen e mandatit të parë prej dy vitesh, PDK-ja mund të thuhet lirisht se ishte në kulmin e lavdisë së saj. Si rrjedhojë e kësaj lavdie, (kjo edhe për shkak të mandatit të shkurtër dy vjeçar) ky imazh ishte pozitiv, që rezultoi sërish me fitore të PDK-së në zgjedhjet lokale të vitit 2009, ashtu siç u fituan edhe zgjedhjet parlamentare të viteve 2007 e 2010, për shkak të këtij reputacioni pozitiv të PDK-së.

Fillimi i gabimeve në PDK

Fillimi i mandatit të dytë (2009) tregoi se disa gjëra nuk u nisen mirë, ngase dehja e vetëkënaqësisë që e kishte kapluar PDK-në, e zbehu arsyen e përgjegjësisë, duke vepruar, në emër të formulës së ashtuquajtur me “ekipe fituese”, ngase as shkalla e seriozitetit, as e përgjegjësisë, e as e sukseseve nuk ishte e njëjtë te të gjithë drejtorët dhe të të gjitha komunat.
Kështu, gjatë mandatit të dytë 4 vjeçar të qeverisjes lokale erdhi deri te një varg çrregullimesh, anomalish e dobësish të cilat së fundi rezultuan më stërkeqjen e kësaj partie në disa komuna. Ndër gabimet e ndryshme, kësaj radhe po i numërojmë disa:
Përzgjedhja e drejtorëve të drejtorateve në nivele komunale mbeti e njëjtë që nga zgjedhjet e para të vitit 2007. Logjika e veprimit sipas të ashtuquajturës “me ekipe fituese” i krijoj mundësinë disa kryetarëve të komunave si dhe disa drejtorëve, që të bënin një lidhje më “vëllazërore” mes vete, e cila lidhje nuk mbeti pa u vënë re në opinion, ku si rrjedhojë, në vazhdimësi, imazhi i këtyre kuadrove, përkatësisht udhëheqësve, vinte duke u zbehur. Rizgjedhja e të njëjtëve drejtor kishte si pasojë krijimin e përshtypjes negative në opinion, se kjo parti (pra PDK), ka vetëm këto kuadro. Jo rrallë, përzgjedhja e kuadrove për drejtor është bërë sipas kriterit të dëgjueshmërisë, duke lënë anash kuadro profesionale të nivelit të lartë të pa ofruara rreth komunës, e kësi soji të larguara de facto nga radhët e partisë. Kjo ka nxitur pa dyshim pakënaqësi në opinion si dhe të vet shtresa intelektuale e partisë.
Qeverisja e PDK-së në nivelet komunale, krijoj përshtypjen se të gjithë të tjerët duhet të bëhen argat, përkatësisht shërbëtorë të kësaj konjukture politike në komunën e caktuar.

Zgjedhjet partiake në PDK – kulmi i stërkeqjes

Zgjedhjet partiake, me një fjalë, ia vunë vulën devijimeve dhe stërkeqjes qeverisëse të PDK-së. Sepse u rilegjitimuan të njëjtit njerëz, pa pasur mundësi kontrolli ndaj tyre nga partia, si dhe pa pasur mundësi që kryetarët e dyfishtë (kryetar komune dhe partie) që të kritikohen, këshillohen për gjëra që nuk janë duke shkuar mirë. Kësisoj disa (pra disa) nga këta kryetarë të dyfishtë u shndërruan në ‘pashallarë’.
Zgjedhjet në çdo parti mbahen me qëllim për ta freskuar partinë me gjak të ri; për t’i vënë në veprim të gjithë mekanizmat partiak; për ti mobilizuar të gjitha energjitë e kuadrove pozitive ekzistuese, si dhe duke i vënë në lëvizje kuadrot e reja, të thithura nga subjekti politik. Por, me PDK-në nuk ndodhi kështu, ngase zgjedhjet u mbajtën sa për sy e faqe, për të legjitimuar vetëm individë të caktuar (e që kjo ka mundur të bëhet edhe në forma tjera), dhe praktikisht për t’iu mbyllur dera e aderimit të gjakut të ri brenda partisë. Zgjedhjet, në vend se të shërbenin për gjëra pozitive, ato u (keq)përdoren edhe për të ‘larguar’ apo ‘bllokuar’ individë e veprimtarë të devotshëm, të cilët kishin punuar pa hile në formimin e të gjitha strukturave të partisë, në nivele komunale. Në popull thuhet “edhe nëse e qel bunarin e ri, mos pështyj në bunarin e vjetër se mund të mbetesh pa ujë”. Por ja që disa individë e veprimtarë të devotshëm të saj, me këto zgjedhje partiake, PDK-ja nga qendra, në praktikë i trajtoj si “tepricë teknologjike”. Dhe, natyrisht që shkalla e pakënaqësisë erdhi duke u rritur në vazhdimësi në këtë parti.

Shndërrimi i komunave në ‘pashallëqe’

Shndërrimi i Komunave në ‘pashallëqe’ nga kryetarët e tyre, e ngulfati partinë, sepse rrethi erdhi duke u ngushtuar, duke u bërë kështu një rreth vicioz, ku për qeverisjen komunale dinë vetëm “zotrat e vegjël” dhe dikush nga lartë, kurse të tjerët duhet vetëm të duartrokasin dhe të bëjnë amin. Duke qenë se këta ‘pashallarë’ në nivele komunale, kishin edhe rolin e kryetarëve të degëve të PDK-së, në këto nivele, këta de facto e shuan partinë në veprim praktik, sepse nuk kishte tashmë as mbledhje partiake të kryesisë së partisë në nëndegë, as në degë, as të këshillave drejtuese të partisë nëpër degë, por ato u shndërruan në relikte zbukurimi dhe mekanizma veprimi, sa herë t’iu duhen për t’i aktivizuar për t’i fituar zgjedhjet me “yrysh”. Gjatë kësaj kohe, shumë veprimtarë të devotshëm, ndonëse të pakënaqur, pranuan për hir të tolerancës dhe burrnisë personale, që të angazhoheshin, duke u shndërruar sërish në argat për të fituar partia. Por, kjo gjendje dhe metodë veprimi, me kalimin e kohës erdhi duke dhënë fryte të hidhura, kurse ‘pashallarët’ e nivelit lokalë dhe qendrorë ishin mësuar me këtë metodologji veprimi dhe kërkonin që ky avaz të vazhdonte deri në pakufi. Por, ja që erdhi një ditë koha, kur shumë veprimtarë të injoruar (disa madje edhe të poshtëruar) filluan të mendojnë se “a ia vlen për të vazhduar kështu, duke u keqpërdorur nga kastat politike vazhdimisht”. Dhe ky mosdurim ka rrezik të zgjerohet tek masa e gjerë apo tek “opinga” siç do të thoshte Agolli.
Sikur të kish funksionuar partia, imazhi për udhëheqjen komunale në opinion do të ishte ndryshe. Mos funksionimi i partisë, e ka bërë të mundshme që opinioni të mos njihet me veprimet reale, edhe në rastet kur komuna ka bërë shumë punë të mira.
Çështje tjetër shqetësuese është te politika e punësimit brenda “pashallëqeve të mëdha”. Shumë kryetarë komunash, disa herë punësimin edhe në ato pak vende pune që kishin, e kanë bërë sipas prizmit të interesave personale të tyre, si dhe interferimeve të mundshme, dhe jo sipas parimit të kontributit të individëve në parti. Madje, ka pasur raste kur kuadro profesionale të PDK-së nuk janë marrë në punë, ndërkaq janë marrë njerëz të partive të tjera (gjithmonë në kuadër të të barabartëve po flasim), dhe kjo pa dyshim ka krijuar pakënaqësi edhe më të madhe tek anëtarësia e partisë. Ndërkaq, ka pasur edhe raste kur, për të hyrë dikush në punë në ndonjë Komunë, qoftë edhe në një detyrë fare të thjeshtë, është dashur intervenimi i dikujt nga qendra (e në disa raste janë marrë edhe njerëz me të kaluar tejet të dyshimtë, kur ka pasur mundësi shumë më të mira zgjedhjeje).

Konkurrimi me “lëndë në gjykata”

Konkurrimi me kandidatët për kryetarë që kanë pasur lëndë nëpër gjykata, ishte hap i pamenduar mirë, pa marrë parasysh ka apo nuk ka fakte. Kjo u dëshmua në rezultate, e nëse në ndonjë komunë prapë fitoi “ekipi fitues”, kjo ndodhi në radhë të parë për shkak se partitë kundërshtare, si kundërkandidatë nxorën nga naftalina kandidatët e konsumuar, apo edhe të tillë që mund të jenë të njohur në opinion për keqpërdorime të mëhershme, pa marrë parasysh se a është ngritur procedurë ndaj tyre apo jo.
Rezultatet negative, të cilat pasuan në herën e tretë të zgjedhjeve komunale, janë rrjedhojë e gabimeve të vazhdueshme të vet PDK-së, si në nivelin qendror ashtu edhe në atë lokal. Gabimet në nivelin lokal janë për faktin se udhëheqja komunale që është identifikuar me partinë në komunë, nuk ka bërë përpjekje për të ofruar njerëz të aftë, por përkundrazi është getoizuar, duke i mbyllur dyert për intelektualë, kurse dyert u janë hapur disa të rinjve në moshë, me qëllim të përdorimit të tyre vetëm si argat për vota. Ndërkaq, gabimet e qendrës në këtë drejtim janë tek krijimi i mundësisë për të funksionuar ‘pashallëqet’ nëpër Komuna, në formën si kanë funksionuar. Edhe në futboll, rrallë herë ndodhë që, në tri kompeticione me radhë, të fitojë i njëjti ekip, me të njëjtit lojtarë. Këtë nuk e ka bërë as Brazili dhe asnjë ekip tjetër i madh futbolli. Kjo mund të shihet në kuadër të një ekipi, sado madhor qoftë ai, se a kanë marrë pjesë të gjithë lojtarët e këtij ekipi në tri kompeticione radhazi, siç bëri në këtë rast PDK-ja.
Ka mundur të marr pjesë një Pele, një Bekenbauer, një Mateus etj., por assesi të gjithë lojtarët. Kurse PDK-ja në shumë komuna, duke mos pasur brenda vetës ndonjë Pele, Krojf a Bekenbauer, është sjellë në opinion sikur të gjithë lojtarët t’i kishte të tillë.
PDK në anën tjetër, ka afruar rreth vetes edhe individë me të kaluar jo të këndshme, që nga koha e monizmit. Këtu, në asnjë mënyrë nuk është fjala për logjikën përjashtuese, por shumëkush ka qenë dashur të ulet në sajfin që e meriton. Disa njerëz, si me ‘përvojë’ nga e kaluara, i janë afruar PDK-së, jo për parime, por për interesa, duke u bërë lajka, për t’iu hyrë në qejf shefave. Fatkeqësisht, si duket dikujt i pëlqejnë lavdërimet dhe laritjet, duke mos e kuptuar as qëllimin e as reflektimin e tyre në opinion. Kjo mund të shihet fare lehtë tek kontributi i tyre në zgjedhjet e fundit, të cilët, ndonëse janë strehuar dhe akomoduar mirë në nivele të ndryshme institucionale në Qeveri, nuk e kanë qarë shumë kokën për PDK-në. Këta dinë të bëhen bashkë, por tërë përvojën e djeshme e shkrijnë, jo për rritjen e partisë, e as për përmirësimin e imazhit të saj në opinion, por për përmirësimin e imazhit të vet personal dhe realizimin e ambicieve të veta. E jo rrallë, edhe në lejimin apo edhe krijimin e ndërskamcave për vet PDK-në, për arsye se kjo e fundit, nuk ua ka plotësuar deri në fund apetitet e tyre, që vazhdimisht vinë duke iu rritur.

‘Kuadro’ udhëheqëse, pa lexuar asnjë faqe libri

Në anën tjetër, gjatë kësaj kohe të qeverisjes së PDK-së, disa ‘kuadro’ partiake të kësaj partie, në nivele komunash, e kanë shfrytëzuar momentin dhe pozitën në shoqëri, prandaj nuk kanë ndenjur duarkryq për të qëndruar ashtu si kanë qenë, me shkolla të mesme (nëse i kanë pasur realisht edhe ato) dhe pa lexuar as edhe një faqe të vetme libri (pa le pastaj libër të tërë), kanë arritur të diplomojnë shpejt e shpejt, dhe tashmë janë bërë ‘kuadro’ me diplomë. E keqja në këtë rast, edhe për Kosovën edhe për PDK-në është se këta, tashmë, edhe pse e dinë se si kanë diplomuar, megjithatë mendojnë seriozisht, se vërtetë dinë. Sepse e kanë krye fakultetin formalisht, e kanë futur një diplomë në xhep, të cilën nuk përtojnë t’ua tundin para hundëve të shumëkujt që e takojnë. Një ‘kuadër’ i tillë, që e quan veten profesional, merre me mend se sa mund të dijë, dhe me atë ‘dije’, si mund ta përfaqësoj institucionin, qoftë në nivel institucional, qoftë edhe ndërinstitucional. Pa le pastaj edhe në takime me ndërkombëtarë, apo edhe media të ndryshme. ‘Kuadro’ partiake e quajnë veten këta, për të cilat PDK duhet të mendoj seriozisht, se për ku është nisur të shkoj me ta në këtë formë dhe në këtë mënyrë.
Ajo që tha Xhejms Rubin, nuk është pa gjë. Natyrisht, kjo nuk mund të vlejë për të gjithë. Çdo gjë shkallëzohet, edhe e mira edhe e keqja. Pra edhe dija edhe padija.

Komoditeti dhe vetëmjaftueshmëria e qendrës

Mosgatishmëria e PDK-së në qendër, për tu marrë seriozisht me problemet që paraqiten në degë dhe komoditeti në këtë drejtim i saj, ka krijuar iluzionin se problemet mund të zgjidhen vetvetiu. PDK duhet të gjejë forcë që me probleme të merret seriozisht në secilën degë, duke i ulur në tavolinë palët ‘në konflikt’, për t’i shoshitur mirë gjërat dhe pastaj për tu marrë vesh mes vete e për të vepruar bashkë.
Problemet nuk zgjidhen duke u konservuar, siç ka ndodhur praktikisht deri tani, duke u frikësuar nga bisedimet horizontale sy-më sy. Nuk zgjidhen problemet duke ardhur shefi i partisë e duke i thirrur në takim shumë veta, (tërë KD të degës), me qëllim për të krijuar një arnim të unitetit. Me arnime mjaft është ecur, madje shumë, prandaj nuk mund të ecet gjithmonë. Nuk mund të udhëhiqet duke ua bërë rrafsh secilës palë në mosmarrëveshje, sepse vjen një kohë që duhet përcaktuar për njërën palë, e si rrjedhojë, jo që krijohet pakënaqësi (sepse ajo veç ekziston), por legjitimohet sërish ajo pakënaqësi nga e cila vazhdon gjenerimi i problemeve. Nuk mund ta kenë mirë te dy palët në ‘konflikt’, edhe nëse ky konflikt në disa raste mund të jetë krejt për gjëra banale.

Si nuk mund të zgjidhen problemet në PDK

Nuk mund të zgjidhen problemet, duke vendosur për ta djegur shtëpinë, për ndërtimin e së cilës ke dhënë mund në komuna të ndryshme. Nuk mund të ecet përpara, duke u marrë dikush me degë të tjera të partisë (madje edhe të përzihet në kuadrot e degës), e në degën vet të humbet. Nuk mund të ecet përpara me logjikën se, dikush tërë jetën duhet të jetë argat, dhe në momentin që vendos të garoj dhe del fitues, fitoren e tij ta përjetoj si humbje të vetes.
Nuk mund të ecet përpara, duke menduar dikush në vazhdimësi se detyrimisht vendin e ka të garantuar në një pozicion të caktuar, derisa të jetë gjallë. Nuk mund të ecet përpara, duke mos bërë përpjekje për të gjetur lider të mirëfilltë në degë të caktuar, sepse humbja pastaj bëhet e sigurt. Nuk mund të ecet përpara me logjikën që, nga një trevë ku nuk ke vota fare, të dekorosh njerëz në institucione, që në vendlindjen e vet nuk i ka as votat e katundit të tij. Nuk mund të ecet përpara me shfrytëzimin e vazhdueshëm të Prizrenit dhe injorimin e asaj pjese në institucionet vendimmarrëse. Nuk mund të zgjidhen problemet me msitni tek të pakënaqurit, aq më pak kur këto msitni bëhen publike. Nuk mund të zgjidhen problemet as me deklarime e thirrje për bashkim, nga persona që më shumë krijojnë armiq, për veten e partinë, se sa miq. Me një fjalë, më shumë prishin se sa ndreqin punë. Nuk mund të zgjidhen problemet as me thirrje iracionale për largime nga partia.
Nuk mund të mendohet për sukses, për askënd, pavarësisht si e ka emrin, nëse pa ndonjë dallim konceptual, por nga që “inati është bërë më i fortë se takati”, mendon të dal e të krijoj parti të re. Këtë e pati provuar Edita Tahiri e Bujar Bukoshi, por dihet si përfunduan. Në këto raste, opinioni do ta kuptojë shpejtë se është fjala, thjeshtë vetëm për interesa dhe jo për parime. Por, nuk mund të mendohet për sukses, edhe nese dikush brenda PDK-së, nuk mërzitet, se a po shkon dikush nga partia apo jo, sepse kjo neglizhencë, në masë të paparashikueshme mund të rrisë shkallën e pakënaqësisë. Rastin e tillë e kemi tek Nexhat Daci, të cilin e injoroi LDK-ja dhe, dihet si përfundoi pastaj kjo parti.
Nuk mund të krijohet harmoni në parti, kur individë, në emër të PDK-së, dalin publikisht e kamxhikosin personalitete partiake që gjenden në institucione të ndryshme (për t’ua marrë fytyrën), kur kjo gjë, nëse është e nevojshme, mund të bëhet brenda institucioneve.

Ana pozitive e zgjedhjeve për PDK-në

Ngjarjet kanë pasuar në këto zgjedhje, përpos anës negative, edhe anën pozitive. Pozitive, si për Kosovën ashtu edhe për vet PDK-në. Ky pozitivitet qëndron në zbulimin e faktit se, PDK ka kancer brenda vetës. E ky kancer, tani për tani duket se mund të shërohet, nëse reagohet me kohë, në radhë të parë me operacion e pastaj me terapi. Pra, PDK, duket se ka pasur nevojë për një ‘kovë uji të ftohtë’, në këtë kohë dimri, për t’i flladitur disa koka të nxehura të saj, të cilët ishin shkëputur nga realiteti. E kjo kovë uji, që ja qiti në kokë populli PDK-së, do ti bëjë mirë, sepse PDK, tashmë e ka rastin të kthjellohet nga ëndrrat, t’i lëshoj këmbët në tokë, t’i përvjel mëngët e të bëjë ‘veprime pozitive’ në të gjitha degët e partisë, duke i hapur realisht dyert për vlerat e reja. Kjo gjë është plotësisht e mundur të bëhet, nëse qendra nuk vazhdon të rrëshqasë në lëvore të bananes, për tu përzier sërish nëpër degë ,se kush duhet të jetë kryetar e kush në kryesi, pa analizë të brendshme.
Së pari është i nevojshëm debati i brendshëm partiak. Rezultati i zgjedhjeve të 3 nëntorit, si dita me diell, tregoi nevojën e ndryshimeve pozitive që duhet të ndodhin brenda PDK-së. Nevojën e uljes për të biseduar me ata që janë larguar, qoftë në heshtje, qoftë gjysmë në heshtje, qoftë edhe publikisht. Në të kundërtën, nëse PDK nuk ndërmerr hapa konkret, rrokullisja do të vazhdojë pashmangshëm dhe kjo rrokullisje, për PDK-në mund të krijoj ortek të papërballueshëm. Fillimisht në komunat ku ka fituar PDK-ja, çështja e drejtorateve duhet të vlerësohet në bazë të rezultateve të punës, imazhit personal në opinion të secilit, si dhe të bëhen ndërrime ndaj të gjithë drejtorëve për të cilët opinioni ka krijuar bindje jo të mirë. Në raste tepër të rralla do të justifikohej që të mbetej ndonjë drejtor, që në ndonjë komunë të caktuar, jo vetëm që ka krijuar imazh të mirë për veten, por me sjelljet dhe punën e tij ka ndikuar që të përmirësohet edhe imazhi i tërë udhëheqjes komunale të caktuar. Por, rasti i mirë i ndonjë drejtori eventual, në asnjë rrethanë nuk mund të shërbente si justifikim, për të mbetur sërish të gjithë drejtorët tjerë, sipas parimit tashmë jofunksional “vazhdojmë me ekipe fituese”. Përndryshe, zgjedhjet e përgjithshme janë në prag.

Leave a Reply