Prishtinë, 07 shkurt 2019 – Ministria e Mbrojtjes e Republikës së Kosovës, më 11 shkurt 2019, do të shpallë zyrtarisht konkursin publik për rekrutimin e ushtarëve aktivë në Forcën e Sigurisë së Kosovës. Sipas komunikatës nga kjo ministri, afati i konkurrimit do të jetë deri më 22 shkurt 2019.
Ministria e Mbrojtjes ka dhënë edhe kriteret e përgjithshme, të cilat duhet t’i plotësojnë të interesuarit për ushtarë aktivë të FSK-së, duke specifikuar se duhet të jenë shtetas të Republikës së Kosovës, të kenë të përfunduar shkollën e mesme, të jenë nga mosha 18-23 vjeç, të kenë zotësi të plotë për të vepruar, të zotërojnë aftësi të nevojshme shëndetësore e fizike për vendin e shërbimit, si dhe të mos jenë të dënuar për vepër penale, me vendim të formës së prerë. Procedurat e shqyrtimit, filtrimit dhe përzgjedhjes do të jenë, fillimisht shqyrtimi i aplikacioneve, testi i aftësive, testi fizik, intervista me shkrim dhe me gojë, testi mjekësor, trajnimi, verifikimi, emërimi, si dhe e drejta e ankesës.
Sipas komunikatës, dokumentet e kërkuara për aplikim, sipas konkursit, do të jenë: Diploma e shkollimeve të përfunduara, certifikata, mirënjohje (nëse posedon), certifikata e lindjes (jo me e vjetër se 6 muaj), certifikata e shtetësisë, vërtetimi nga gjykata që nuk është nën hetime apo i ndjekur penalisht, kopje e letërnjoftimit apo pasaportës, si dhe dy fotografi të formatit (5 cm x 5 cm).
Shtetasit e Republikës së Kosovës, të cilët do të konkurrojnë, mund të pranohen në FSK, pasi të kenë plotësuar kërkesat dhe kriteret e përgjithshme të përzgjedhjes. Pranimi në FSK konfirmohet pas përfundimit të trajnimit bazik dhe, gjatë kësaj kohe, kandidatët do të cilësohen si rekrutë.
Pas përfundimit të trajnimit bazik, rekrutët marrin gradën e ushtarit.
Formularët për aplikim do të jenë në dispozicion në të gjitha kazermat e FSK-së, si dhe në ueb-faqen e Ministrisë së Mbrojtjes, www.mksf-rks.org, ku do të publikohet edhe konkursi.
Formularët duhet të dorëzohen personalisht, në të gjitha kazermat e FSK-së, çdo ditë pune, nga ora 09:00-15:00, deri në afatin e fundit për konkurrim.
FSK kërkon ushtarë aktivë – Pritet interesim i madh!
POSTIMI PARAPRAKKonkursi për mësimdhënëse në Dragash – Raportohet për nepotizëm!
POSTIMI I RADHËSArrestohen të dyshuarit për vjedhje në Bresanë!