Prishtinë, 09 qershor 2018 – Në moshën 57 vjeçare, sot ndërroi jetë Fadil Vokrri, kryetar i Federatës së Futbollit të Kosovës. Autoritetet mjekësore thanë se dyshohet se një sulm kardiak ka çuar deri te vdekja e Fadil Vokrrit, ngjarje kjo që ka nxitur reagime të shumta të autoriteteve dhe sportistëve në Kosovë.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, është shprehur se lajmin për vdekjen e Vokrrit e ka pritur me dhimbje të madhe dhe pikëllim të thellë. Edhe kryeministri Haradinaj e ka ngushëlluar familjen Vokrri, duke u shprehur se ky lajm e ka trishtuar dhe pikëlluar tej mase.
Legjenda e futbollit nga Kosova, Fadil Vokrri, ka luajtur gjatë viteve të 80-ta për klubin e Prishtinës, i cili klub kishte arritur kulmin e suksesit, duke luajtur në Ligën e parë të ish-Jugosllavisë, kur edhe e kishte mposhtur “Crvena Zvezdën” e famshme të Beogradit në shtëpinë e kësaj të fundit. Më pas, Vokrri ka luajtur për klubin “Partizani” të Beogradit, si dhe lozte për përfaqësuesen e ish-Jugosllavisë. Nga viti 2008, Fadil Vokrri, ka drejtuar Federatën e Futbollit të Kosovës, pasi ai vlerësohet si njëri nga futbollistët më të mirë që ka pasur Kosova ndonjëherë.
Ndërroi jetë Fadil Vokrri, kryetar i Federatës së Futbollit të Kosovës
POSTIMI I RADHËSNë Rrenc përurohet memoriali “Abdurrahman Gërdellaj”