Bellobrad, 03 shkurt 2018 – Pas shumë kohësh që po e durojnë rrugën e dëmtuar, duke shpresuar se dikush do ta kuptojë që edhe këta taksapagues meritojnë ta kenë një rrugë normale, banorët e Bellobradit, vendbanim ky që konsiderohet si nyje e fshatrave të Opojës së Dragashit, sot kanë dalë në terren dhe po diskutonin se cila është forma më e mirë për të protestuar. “Të mbjellim pisha, siç bënë banorët e fshatit Rrenc”, dëgjohej njëri nga propozuesit, të cilin e kundërshton tjetri, duke i thënë se bllokimi i kësaj arterie për trafik, mbase do të ishte forma më e mirë. “Po dalim si burrat dhe po e bllokojmë rrugën, derisa të vijnë zyrtarët, që atyre t’ua themi në sy hallet tona”, propozonte një tjetër banor, derisa nuk doli një ide unike, si forma më e mirë e protestës, përmes talljes me ata që e kanë harruar këtë aks rrugor. “Po mbjellim patate, me që gropat i kemi gati. Asnjëra nga gropat nuk është më e cekët se 10 centimetra, përse të mos mbjellim patate dhe t’i ftojmë mediat që ta përcjellin aktivitetin tonë”, propozoi njëri nga banorët, ideja e të cilit u duartrokit dhe, një ekip doli nëpër shi, për ta matur thellësinë e gropave të shumta.
Sehar Qafleshi, një banor nga Bellobradi, me punë të përkohshme jashtë vendit, i revoltuar skajshmërisht që po e dëmton automjetin e tij, për pak ditë sa po qëndron në vendlindje, e ka krahasuar këtë rrugë me rrugët e Alepos. “S’jemi në Alepo të Sirisë jo. Jemi në rrugën që lidh me botën afër 19 fshatra të Opojës. Ne paguajmë një dreq e gjysmë kur i regjistrojmë automjetet dhe paratë tona investohen gjetiu. Dhe, ne prapë votojmë për hajnat që na vodhën çdo gjë. Kjo gjendje nuk ka me shkuar gjatë”, tha për redaksinë tonë, Sehar Qafleshi, duke paralajmëruar se banorët e kësaj qendre të Opojës nuk do të durojnë më.
Bellobradasit planifikojnë të mbjellin patate në rrugë (Video)
POSTIMI PARAPRAKSanohet rruga për Dragash – Rreziku mbetet (Video)
POSTIMI I RADHËSGentiana sot u shtrua në spital – Aksioni humanitar vazhdon!