Prishtinë, 07 janar 2015 – Zyrtarë nga Agjencia e Menaxhimit të Emergjencave, e cila funksionon në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Qeverisë së Kosovës, thanë se dëmet e shkaktuara nga vërshimet janë të mëdha. “Nuk mund të japim me saktësi vlerën e dëmeve por mund të them se ka dëme të konsiderueshme. Komisionet do të dalin në terren, do ta bëjnë vlerësimin dhe pastaj mund të flasim për dëmet”, tha shefi i Qendrës operative në këtë agjenci, Mahir Hasani, sipas të cilit gjendja në komunat ku ka pasur vërshime është e qetë dhe se ka filluar të bie niveli i ujit nëpër lumenj. Hasani iu ka bërë thirrje drejtuesve të komunave, që të punojnë më shumë në rregullimin e shtratit të lumenjve. “Kuvendet komunale duhet t’i kushtojnë vëmendje më të madhe kësaj çështjeje. Duhet t’i rrisin buxhetet e tyre dhe të kërkojnë fonde, pasi më mirë është që të parandalojnë diçka të tillë se sa të merren me pasojat. Në përgjithësi Kosova duhet të ndërmerr masa parandaluese, pasi po shihet se ka probleme. Edhe qytetarët duhet të jenë të vetëdijshëm që në lumenj të mos hedhin mbeturina. Ne kemi vërejtur se në disa lumenj hidhen edhe automjete të vjetra”, shpjegoi Hasani.
Gjendje e rëndë nga vërshimet është edhe në komunën e Malishevës, ku dëmet janë të mëdha por pa pasoja në njerëz. Kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, tha se, si pasojë e daljes nga shtrati të lumit Mirusha, ka vërshime në qendër të kësaj komune dhe, pothuajse në çdo fshat. “Dëmet janë jashtëzakonisht të mëdha. Janë dëmtuar bizneset, shtëpitë dhe familjet. Ka edhe makina të dëmtuara por, fatmirësisht, nuk kemi dëme në njerëz. Gjatë natës e kemi përcjellë gjendjen. Rrugët janë të kalueshme dhe niveli i ujit ka rënë”, tha Begaj.
Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka kërkuar nga mekanizmat kompetente të sigurisë dhe emergjencave që të koordinohen me autoritetet lokale në komunat ku ka pasur vërshime, si dhe të ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme për të tejkaluar këtë situatë dhe për t’iu ardhur në ndihmë qytetarëve. Ndërkohë, në Institutin Hidrometeorologjik të Kosovës thonë se, gjatë tri ditëve në vijim, prurjet e ujit dhe niveli nëpër shumicën e lumenjve të Kosovës do të karakterizohet me rritje graduale. Ata thonë se kjo situatë do të vazhdoj deri më datën 10 të këtij muaji, kur niveli i ujit do të bie gradualisht, transmeton – REL.
Dëme të mëdha nga vërshimet në Kosovë!
POSTIMI PARAPRAKArrestohet personi më i kërkuar në botë!
POSTIMI I RADHËSHamza Bale dhe CDU distancohen nga Safet Kushi!
Leave a Reply
You must be logged in to post a comment.