Prishtinë, 06 prill 2015 – Në emisionin “Sonte me Berat Miftarin”, i cili transmetohet tri herë në javë në RTK (e hënë, e martë, e mërkurë), para pak çastesh u promovua spoti më i ri nga Linda Morina, dedikuar kryetarit legjendar të Partisë së Fortë, Visar Arifajt.
Në emisionin e parë, ku ishte i ftuar Arifaj, i provokuar nga Berat Miftari, ai kishte deklaruar se e ka ëndërr që Linda Morina, t’i dedikonte edhe atij një këngë, ashtu siç iu ka dedikuar politikanëve të tjerë. “Nuk dua t’i përzihem as në tekst dhe as në muzikë. Thjeshtë, dua ta kem surprizë dhe, kur të shkoj në plazh, ta dëgjoj duke më përmendur në këngë”, kishte deklaruar Arifaj, me stilin e tij të njohur prej një komiku. Dëshira e Arifajt ka bërë që drejtuesi i emisionit, Berat Miftari, t’i bënte menjëherë thirrje publike Lindës, përmes ekranit, që t’ia realizojë një këngë edhe Legjendarit, me që ky i fundit tha se është ndjerë i diskriminuar që Linda Morina, vetëm atij nuk i ka thurur këngë.
Dy javë më pas, kënga është realizuar dhe, sonte u prezantua premierë në emisionin e drejtuar nga Berat Miftari, i cili publikisht e falënderoi Radio Sharrin, ku është realizuar pjesa teknike e videos që ka realizuar Linda Morina. Miftari e ka falënderuar për bashkëpunim edhe drejtorin e radios, Beqir Beqaj, si dhe ka ftuar publikun që ta shikojnë spotin në kanalin zyrtar të Radio Sharrit, në Youtube.
Në edicionin e sontëm të emisionit “Sonte”, mysafirë ishin gazetari i mirënjohur, Qani Mehmedi, si dhe aktorja nga seriali “Stinë Dashurie”, Albulena Kryeziu.
• Shiko spotin – KËTU!