Tiranë, 23 mars 2015 – Të hënën, në Pallatin e Kongreseve në Tiranë u nënshkruan 11 marrëveshje midis qeverisë së Shqipërisë dhe asaj të Kosovës. Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, tha se me marrëveshjet që u nënshkruan sot, po dëshmohet bashkimi mes dy shteteve. “Me këtë dua të them se ky është bashkimi ynë kombëtar, nëpërmes Bashkimit Evropian”, tha Rama, duke shtuar se marrëveshjet mbulojnë sektorët e sigurisë, kulturës dhe bujqësisë. Ai premtoi se, gjatë kësaj vere, shqiptarët e Kosovës nuk do të presin në radhë nëpër pikat kufitare por aty do të bëhet një kontroll formal, siç tha, sikurse në kufijtë e BE-së.
Marrëveshje të një rëndësie të veçantë, Rama e konsideron atë për unifikim të sistemit arsimor që, sipas tij, është një angazhim themelor në rrugën e bashkimit të forcave të institucioneve arsimore, për të funksionuar si një forcë e vetme e një populli, në rrugën e integrimit në BE. “Së shpejti do të hapet konsullata e përbashkët në Milano të Italisë dhe me këtë dy shtetet po unifikojnë përpjekjet diplomatike. Këto marrëveshje do t’i administrojnë dy shtetet por aspiratat dhe interesat janë të përbashkëta”, tha Rama.
Këto janë marrëveshjet e nënshkruara:
1. Memorandumi për bashkëpunim të ndërsjellë në Siguri.
2. Memorandumi mbi forcimin e bashkëpunimit në Kontrollin e Brendshëm.
3. Protokolli mbi shfrytëzimin e përbashkët të pajisjeve për Kontrollin e Kufirit.
4. Protokolli për ndjekjen e menjëhershme Ndërkufitare.
5. Memorandumi i Mirëkuptimit për forcimin e bashkëpunimit ndërmjet ministrive të financave.
6. Marrëveshje bashkëpunimi për organizimin e përbashkët të mësimit të gjuhës shqipe dhe të kulturës shqiptare në Diasporë dhe në Mërgatë.
7. Marrëveshje bashkëpunimi në fushën e Arsimit të Lartë dhe Kërkimit Shkencor.
8. Marrëveshje për bashkërendim institucional për përparimin dhe zhvillimin profesional të mësimdhënësve në Arsimin Parauniversitar.
9. Protokoll për zbatimin e marrëveshjes Kuadër ndërmjet dy qeverive, në nxitjen dhe lehtësimin e Tregtisë.
10. Memorandum mbi bashkëpunimin në fushën e Bujqësisë dhe Zhvillimit rural.
11. Memorandum bashkëpunimi ndërmjet Ministrisë së Kulturës të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Republikës së Kosovës, si dhe Ministrisë së Diasporës të Republikës së Kosovës.