Dragash, 10 mars 2015 – Fermerët nga Dragashi kanë shprehur sot revoltën e tyre, për shkak se nuk kanë përfituar asnjë cent nga subvencionimi i qeverisë për qumështin që kanë prodhuar. Shkak për këtë ka qenë vonesa në aplikim për këtë subvencion, por jo nga fermerët.
Në takimin që këta të fundit zhvilluan me Shoqatën e Afaristëve nga Dragashi, u tha se për këtë vonesë nuk kanë faj ata por dikush nga zyrtarët komunalë që janë marrë me këto aplikacione. “Ne kemi aplikuar me kohë, duke i respektuar afatet që na i kanë dhënë nga Drejtoria komunale e Bujqësisë në Dragash, por që doli se ky afat kishte përfunduar disa ditë më herët se sa data e potencuar nga zyrtari, Flamur Sylejmani”, u ankuan fermerët para zyrtarëve të Shoqatës së Afaristëve “Sharri” në Dragash. Kjo e fundit i kishte ftuar zyrtarët nga Drejtoria e Bujqësisë, për ta shpjeguar këtë vonesë, por këta të fundit nuk erdhën në takimin e sotëm.
Shpetim Kamberi, kryetar i Shoqatës së Afaristëve “Sharri” në Dragash, tha se Zyrtari i lartë për Bujqësi në këtë drejtori, Flamur Sylejmani, i kishte dërguar dje një e-mail, ku e ka njoftuar se ai nuk mund të prezantojë në takim, pasi në këtë kohë do të jetë në Prishtinë. Por, Sylejmani e kishte garantuar se dikush nga drejtoria do të jetë prezent.
Me të ardhur nga Prishtina, redaksia jonë e ka kontaktuar Sylejmanin, nga i cili ka kërkuar sqarime. Ky i fundit nuk e dinte se përse drejtori i Bujqësisë, Bajram Hoxha, nuk ka prezantuar në takimin mes fermerëve she Shoqatës, por tha se ai kishte qenë në Prishtinë, mu për këtë çështje. “Atje dorëzova aplikacionet e reja për subvencionim, por edhe kërkova përgjigje rreth çështjes që u potencua për aplikacionet paraprake. Sa i përket vonesës për aplikim, faji nuk është i joni, sepse ne kemi marrë njoftimin nga Agjencia për Zhvillimin e Bujqësisë (AZHB) më 21 korrik 2014, ku thuhej se afati për aplikim është 30 ditë. Kështu edhe e kemi përcjellë informacionin tek fermerët dhe, kur i dorëzuam ato në AZHB, na u tha se është vonë, pasi afati i dorëzimit ka qenë deri më 15 gusht 2014, ndërsa fermerët kanë aplikuar pas kësaj date”, tha Sylejmani, duke shtuar se, edhe ata janë shokuar, pasi shefi i Njësisë së pagesave pranë AZHB-së, Luan Statovci, kishte bërë një lëshim në njoftimin e dërguar. “Ai nuk e ka potencuar datën e fillimit për aplikim, por vetëm ka potencuar afatin prej 30 ditësh. Domethënë, kjo nënkuptonte se fermerët kanë 30 ditë afat, nga data 21 korrik 2014, kur edhe na është dërguar njoftimi. Mu për këtë, ne i kemi parashtruar një kërkesë për miratimin e aplikacioneve nga komuna jonë, pasi faji nuk ka qenë i yni për vonesën. Edhe sot kërkuam përgjigje, por na thanë se ende nuk e kanë shqyrtuar kërkesën tonë”, tha Sylejmani, duke shprehur mirëkuptim për fermerët, por që sqaron se faji nuk është i tij. Si shembull për këtë, ai tregon njoftimin e ri nga kjo agjenci, ku saktësisht është specifikuar data e fillimit për aplikim dhe ajo se kurë përfundon. “I tillë nuk ishte njoftimi para këtij, prandaj dhe është shkaktuar ky problem”, pohon Sylejmani, duke shtuar se nga kjo punë që po e bën, nuk ka kurrfarë përfitimesh dhe as ndikim në vlerësimin e kritereve, por e bën për t’ua mundësuar fermerëve aplikimin në Dragash. “Ndryshe, ata do të duhej të aplikonin në Zyrën rajonale të AZHB-së në Prizren, por ne ua mundësojmë që këtë ta bëjnë edhe në Dragash. Duhet ta kuptojnë fermerët se, në momentin kur ne i dorëzojmë aplikacionet në AZHB, aty përfundon roli ynë. Domethënë, nga ai moment ne nuk kemi qasje në to dhe as që mund të ndikojmë në vlerësime apo pagesa”, përfundon Sylejmani.
Acarohen fermerët e Dragashit – Nuk përfituan subvencione!
POSTIMI PARAPRAKDragashi ndihmohet përmes stimulimit për vetëpunësim!
POSTIMI I RADHËSRruga Slobodan Milosheviq – Gjithçka OK!
Leave a Reply
You must be logged in to post a comment.