Prizren, 25 nëntor 2014 – Në një aksident të rëndë trafiku, i cili ndodhi në magjistralen, Prizren – Gjakovë, një person ka humbur jetën ndërsa pesë të tjerë janë lënduar, njëri prej tyre ndodhet në gjendje të rëndë. Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i policisë rajonale në Prizren, Hazir Berisha, sipas të cilit, aksidenti ka ndodhur rreth orës 8:00 të mëngjesit të sotëm.
Sipas hetuesve të trafikut rajonal, deri tek aksidenti kishte ardhur nga një tejkalim i gabuar i një automjeti (Golf), me të cilin drejtuesi nuk e kishte përshtatur shpejtësinë e lëvizjes gjatë tejkalimit të një automjeti tjetër dhe, për pasojë, godet një automjet që po shkyçej nga rruga, në anën e majtë. “Automjeti Pik-ap që kishte filluar shkyçjen nga rruga, në krahun e majtë, është goditur nga automjeti Golf. Për pasojë, bashkëudhëtari që ndodhej në Pik-ap ka ndërruar jetë. Në konsultim me prokurorin e shtetit, drejtuesi i automjetit Golf është arrestuar dhe po mbahet në Polici”, ka sqaruar Berisha.