Shala: “Posti i kryeministrit, e shpëton Isa Mustafën”


koalicioni-thaci-mustafaPrishtinë, 21 nëntor 2014 – Njohësi i proceseve politike në vend, Behxhet Shala, ka vlerësuar se të gjitha zhvillimet e deritanishme në skenën politike, kanë qenë lojë dhe se arritja e koalicionit në mes të dy partive më të mëdha, ka qenë e pritur. Ai ka thënë për “Epokën e re” se arritjen e këtij koalicioni e kanë imponuar proceset të cilat e presin Kosovën në të ardhmen. “Ky koalicion ka qenë i pritur. Nuk po na befason. Krejt kjo që është bërë deri më tani, ka qenë vetëm një lojë dhe humbje kohe. Nuk ka pasur asnjë dilemë për këtë koalicion sepse proceset që e presin Kosovën e kanë imponuar një koalicion të tillë, prandaj edhe është bërë. E keni parë që ndërkombëtarët, fillimisht nuk janë deklaruar, por e kanë lënë të shpenzohen të gjithë politikanët dhe në momentin e fundit kanë ndërhyrë, duke iu treguar se çfarë duhet të bëjnë dhe si duhet të veprojnë”, është shprehur Shala, duke shtuar se ky koalicion nuk ka qenë i papritur. “Nuk është një koalicion i papritur. Mendoj se nuk ka pasur mundësi tjetër sepse të tjerët kanë vrapuar pas posteve, e ato u kanë kushtuar. E kanë humbur lojën partnerët e koalicionit paszgjedhor sepse, kur është dashur të materializohet marrëveshja e qershorit, kanë hequr dorë sepse ky koalicion ka qenë i interesit, jo koalicion parimor, ndonëse e kanë nënshkruar një marrëveshje për parime. Prandaj, ky koalicion e ka pasur qëllimin e keq sepse nuk ka ofruar asgjë tjetër, përveç rrëzimit të Thaçit”, ka thënë Shala.
Në këtë kontekst, ai ka thënë se Mustafa e ka luajtur lojën mirë, duke marrë kështu një mbështetje paraprake nga faktori ndërkombëtar. “Isa Mustafa e ka luajtur lojën mirë sepse ka shkuar në Gjermani, e ka marrë një lloj përkrahje, më pas ka dalë me qëndrimin e fortë, se LDK-ja hyn në koalicion, vetëm nëse i jepet drejtimi i qeverisë apo posti i kryeministrit. Prandaj, ai ka marrë një garanci prej ndërkombëtarëve. Në të kundërtën, ai nuk do të hynte as në bisedime për një koalicion të tillë sepse një post e ka pasur edhe në bllokun LDK-AAK-Nisma dhe VV. Tash është çështje e bisedimeve në mes të liderëve të partive politike për ndarjen e ministrive. Por, dihet se ai që e merr postin e kryeministrit do t’i marrë disa ministri më të lodhura, kurse partneri tjetër do t’i marrë ministritë më të forta”, ka deklaruar Shala, duke shtuar se, në bazë të marrëveshjes së arritur, posti i kryeministrit do t’i takojë Isa Mustafës, pasi në të kundërtën nuk do të mund të mbijetonte në skenën politike. “Mendoj se posti i kryeministrit i është ofruar dhe i është garantuar nga ndërkombëtarët, Mustafës. Me këtë garanci ai e ka neutralizuar atë pjesën brenda partisë që ka qenë kundër koalicionit me PDK-në. Kjo ka qenë ajo karta e fuqishme, e cila e ka shtyrë LDK-në të hyjë në këtë koalicion. Mustafa, po të mos e merrte këtë post, nuk do të mund të mbijetonte në skenën politike. Dhe, në bazë të kësaj marrëveshje të arritur paraprakisht, duket se Isa Mustafa do të jetë kryeministër”, ka vlerësuar Shala.


 

  1. Kaaaaaaaaa… Uki edhe Dhia bashke!

  2. Shpresojm per permisim te gjendjes se tanishme

Leave a Reply