Porosia për Bashkësinë Islame – Kërcënim apo revoltë?


xhamia bresane bi Dragash, 27 gusht 2014 – Një letër e thjeshtë fletoreje, e shkruar me dorë nga dikush që duket se e njeh mirë drejtshkrimin, ka marrë dhen. Kjo, pasi përmbajtja e saj ishte e jashtëzakonshme për trevën e Opojës, e cila nuk i ka njohur këto gjëra më herët. Aty shprehet pakënaqësi ndaj Bashkësisë Islame të Kosovës, si dhe asaj të Dragashit, duke iu çuar “selam” krerëve të tyre që mos të duken në xhaminë e re të fshatit Bresanë. “Kërkojmë nga këshilli i Xhamisë së Re në Bresanë që ta informojë Këshillin e Bashkësisë Islame të Dragashit dhe Këshillin e Bashkësisë Islame të Kosovës se nuk janë të mirëseardhur për ligjërata në xhaminë tonë. Nëse nuk informohen dhe nuk merren masa, ne nuk ju sigurojmë se çka mund të ndodh, ne rast të ardhjes së tyre në xhami. Prej shkaqeve pse nuk dëshirojmë ardhjen e tyre, është mosrespekti i tyre për xhaminë tonë dhe respekti i stërmadh ndaj xhamive shumë më të vogla dhe me kontribut shumë – shumë të vogël për Bashkësinë Islame, si në aspektin e zeqatit, veçanërisht në grumbullimin e vitrave. Ne që ju drejtohemi juve si Këshill i xhamisë, jemi një grup i xhematit të xhamisë dhe kontribuues në çfarëdo mënyre. Ju lutemi ta merrni parasysh këtë kërkesë, që mos të bëhet vonë pastaj”, thuhet në letrën që imami i kësaj xhamie e ka gjetur në derë të saj.letra kercenuese bresane
I kontaktuar nga Radio SHARRI, imami Kasam Muhameti thotë se në letër shprehet revoltë ndaj BI-së, por që nuk do të duhej të ndodhte kjo. “E kanë shkruar një letër dhe e kanë lënë në një kuti në xhami. Aty thuhet se Bashkësia Islame është e padëshiruar në xhaminë tonë. Madje, në letër paralajmërohemi se, në rast se nuk i përmbahemi kësaj, nuk jemi të sigurtë”, tha Muhameti, duke potencuar se letrën e kishte gjetur në fund të muajit korrik, por që e kishte publikuar para xhematit, pak pas namazit të Bajramit.
Muhameti i ka kundërshtuar supozimet që BI-ja nuk paska dhënë kontribut për ndërtimin e kësaj xhamie. “Kam dëgjuar edhe unë të tilla supozime, e që mund të jenë edhe shkaku për këtë indifirerëncë ndaj BI-së. Por, më duhet ta potencoj se muret dhe kubet e xhamisë tonë janë ndërtuar me fondet e siguruara nga Bashkësia Islame”, pohon imami i xhamisë, Kasam Muhameti.
Edhe kryetari i Këshillit të kësaj xhamie, Hesaf Jonuzi, pohon se raportet me BI-në janë të mira, madje të shkëlqyera. Sipas tij, kjo çështje është përhapur pa nevojë nëpër media, duke u bazuar në profilet e disa personave që bëjnë gazetari qytetare. “Mendoj se nuk do të duhej të merrte kaq shumë publicitet ky rast, pasi këtu bëhet fjalë vetëm për një shprehje të pakënaqësisë ndaj BI-së, për të cilën mendohet se nuk ka kontribuar në ndërtimin e xhamisë sonë. Si kryetar i Këshillit të xhamisë, do të bëj çmos që këtë rast ta izolojmë, duke bërë transparent çdo procedurë të ndërtimit të xhamisë, ku do të shihët se sa është dhe sa nuk është kontributi i BI-së”, tha për radion tonë Jenuzi, duke shtuar se nuk është e vërtetë që kjo xhami është jashtë kontrollit të BI-së. “Xhamia është nën ombrellën e Bashksisë Islame, me të cilën kemi raporte të shkëlqyera”, pohon Jonuzi.