Uashington, 08 gusht 2014 – Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barak Obama, ka autorizuar sulmin me avionë luftarakë mbi objektivat e ekstremistëve islamikë në Irak. Sipas tij, aksioni ka qëllime humanitare, pasi që civilët po masakrohen dhe po përndiqen nga shtëpitë e tyre. Ky vendim ka hyrë në fuqi menjëherë dhe, fillimisht do të veprohet në mbrojtjen e personelit amerikan në Irak dhe më pas edhe shpëtimin e qindra mijëra civilëve që janë të rrezikuar nga fraksioni i organizatës “Al Qaeda”, i ashtuquajtur “Shteti Islamik i Irakut dhe Sirisë” (ISIS). Në fjalimin që mbajti në Shtëpinë e Bardhë, presidenti Obama tha se avionët amerikanë i kanë hedhur nga ajri ushqime dhe ujë banorëve, të kërcënuar nga ekstremistët. “Shtetet e Bashkuara nuk mund ta bëjnë një sy qorr ndaj përparimit të ekstremistëve, të cilët kanë detyruar largimin dhe vrasjen e pakicave etnike”, tha Obama, duke shtuar se SHBA’ja ka përgjegjësi në parandalimin e akteve gjenocidiale nga militantët radikalë islamikë.
Ky vendim i presidentit Obama përfaqëson përdorimin më të madh të forcës ushtarake në Irak, që kur trupat amerikane u tërhoqën nga ky vend, në vitin 2011, pasi qëndruan atje për rreth një dekadë.
Shtetet e Bashkuara kanë njoftuar se forcave kurde dhe atyre të Irakut, së shpejti do t’iu ofrojnë ndihmë ushtarake për t’i luftuar militantët islamikë.
Shiko fjalimin KËTU