Prishtinë, 17 korrik 2014 – Lëvizja Vetëvendosje do ta votojë sot kreun e LDK-së, Isa Mustafën, për kryetar të Kuvendit të Kosovës. Lajmin e kanë transmetuar mediat elektronike, duke u thirrë në statuset private të protagonistëve të bllokut opozitar, të cilët e kanë dhënë këtë njoftim në rrjetet sociale.
Mësohet se marrëveshja është arritur gjatë takimit që kanë zhvilluar në orët e vona, Isa Mustafa dhe Albin Kurti. Ndërkaq, thuhet se marrëveshja do të zyrtarizohet gjatë ditës së sotme, përderisa mbetet për tu diskutuar marrëveshja për qeverisjen e vendit.
Glauk Konjufca ka thënë se marrëveshja në mes të Bllokut LDK – AAK – NISMA dhe Vetëvendosjes do të dihet saktësisht në orët që kanë mbetur deri në seancën konstituive të Kuvendit dhe se nuk do të ketë dilema për këtë çështje. “Deri më tash jemi marrë vesh, pothuajse për 90 përqind të çështjeve. Mendoj se orët që kanë mbetur, do t’i japin fund dilemave dhe do t’i qartësojnë pikat ku ne kemi pasur mospajtime”, ka thënë Konjufca, sipas të cilit, dallime ka vetëm në 5 përqind të çështjeve, gjë e cila, sipas tij, është pak për t’mos u finalizuar marrëveshja.