Argjentina, finalistja e dytë – Mposhti Holandën me penallti!

 


argjentina finaliste• Përfaqësuesja e Argjentinës është kualifikuar në finale të Kampionatit Botëror, pasi në gjysmëfinale eliminoi Holandën, pas ekzekutimit të penalltive. Gjysma e parë e ndeshjes ishte e qetë, me shumë pak raste për të shënuar gol. Një goditje e Lionel Messit nga gjuajtja e lirë dhe disa tentime nga ndërprerjet, përbëjnë krejt atë që mund të flitet për lojën e argjentinasve. Ndërkaq, gjatë 45 minutave të para, holandezët patën vetëm një tentativë nga Wesley Sneijder që përfundoi jashtë.
Në gjysmën e dytë të ndeshjes u shpejtua paksa ritmi i lojës, mirëpo ajo vazhdoi të ishte e zbehtë. Holandezët u angazhuan më shumë, në krahasim me gjysmën e parë, mirëpo shumë rrallë shkuan drejt portës së argjentinasve. Nga ana tjetër, argjentinasit ishin më të rrezikshëm në pjesën e dytë të lojës. Kur po pritej fishkëllima e fundit e gjyqtarit, Robben kishte rast të mirë për të shënuar, por Mascherano bëri intervenimin vendimtar.
Loja, pothuajse vijoi e barabartë edhe gjatë vazhdimeve. Palacio dhe Rodriguez patën rastet më të mira për ta dërguar Argjentinën në finale, por nuk goditën si duhej, kështu që fituesi u vendos me anë të penalltive, ku gollmani i Argjentinës u tregua i shkathët, duke i mbrojtur dy penallti.
Argjentina doli fituese dhe, në finalen e madhe të 13 korrikut, do të ndeshet me Gjermaninë. Ndërkohë, Holanda do të luajë kundër Brazilit, për vendin e tretë.