Bruksel, 24 qershor 2014 – Bashkimi Evropian i ka thënë PO Shqipërisë për marrjen e statusit të vendit kandidat, i cili pritet tashmë vetëm të zyrtarizohet nga mbledhja e këshillit të Ministrave të Jashtëm në Bruksel. Lajmin e ka konfirmuar kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i cili ka postuar një mesazh në “Twitter”, ku thotë se Shqipëria ia doli mbarë edhe në këtë sfidë. “Sapo fola me Shtefan Fyle… Jam krenar që ia dolëm të gjithë bashkë… Mirënjohje për të gjithë ju”, ka shkruar Rama. Edhe Komisioneri për Zgjerim, Shtefan Fyle, përmes një statusi në “Twitter” ka uruar Shqipërinë për marrjen e statusit. “Urime për statusin e kandidatit, miratuar nga Ministrat, si njohje e përpjekjeve për reforma dhe nxitje për më shumë”, ka shkruar Fyle.
Një reagim i menjëhershëm ka ardhur edhe nga ish-kryeministri, Sali Berisha, i cili në saje të urimit, nuk ka lënë pa e kritikuar kryeministrin aktual, Edi Rama, për të cilin thotë se këtë status e ka zvarritur dy herë radhazi. “Këshilli i Ministrave të vendeve anëtare të BE-së vendosi që Shqipërisë, ndonëse me vonesë, për shkaqe kryekëput shqiptare, t’i jepet statusi i vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimit Evropian. Kjo është një arritje madhore në rrugën e integrimit të plotë të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Para së gjithash, është vlerësim i suksesit të reformave tona që kanë sjellë Shqipërinë në stadin e meritës së plotë të statusit të vendit kandidat. Por, sot duhet të rikujtojmë se ne e morëm me vonesë statusin e vendit kandidat, pasi Edi Rama, si asnjë politikan tjetër në Evropë, në një akt të mirëfilltë antikombëtar, e bllokoi atë në dhjetor të vitit 2012 dhe në mars të vitit 2013, duke refuzuar votimin e tre ligjeve, për të cilat ishte rënë dakord”, ka shkruar mes tjerash Berisha në profilin e tij në Facebook, duke i ftuar të gjithë shqiptarët që të festojnë këtë vendim.
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, e ka uruar Shqipërinë për statusin, duke thënë se nuk ka shqiptar në botë që sot nuk është krenar për arritjet e Shqipërisë. “Shqipëria, nga sot, është kandidate për anëtarësim në BE. Lajmi më i mirë i mundshëm. Urime motra dhe vëllezër. Nuk ka shqiptar në botë që sot nuk është krenar për këtë arritje. Dy citate më bien ndër mend në këtë moment. Isa Boletini jonë, kur ka thënë: ‘Unë jam mirë, kur është mirë Shqypnia’ dhe Naim Frashëri kur tha: ‘Për ne shqiptarët, dielli lind nga perëndimi’. Me të vërtetë e ardhmja e të gjithë ne është vetëm Bashkimi Europian”, ka shkruar Thaçi në profilin e tij në “Facebook”.