Ndërmarrja nga Vushtrria akuzohet për mashtrim ndaj Komunës së Dragashit!

Ndërmarrja nga Vushtrria akuzohet për mashtrim ndaj Komunës së Dragashit!

Prizren, 15 maj 2026 – Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër personit juridik të një kompanie nga Vushtrria, nën dyshimin se ka kryer veprën penale “Keqpërdorim dhe mashtrim në prokurimin publik”, vepër kjo që sanksionohet me Kodin Penal të Republikës së Kosovës.
“Departamenti i Krimeve të Rënda ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit (B.P), për shkak të dyshimit të bazuar mirë se ka kryer veprën penale ‘Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurimin publik’ nga neni 415 paragrafi 2 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Sipas aktakuzës, më datën 22.12.2023, në Dragash, i pandehuri (B.P), në cilësinë e personit të autorizuar të operatorit ekonomik (B. Sh.P.K), dyshohet se me qëllim ka shkelur rregullat e prokurimit publik, duke mos i zbatuar detyrimet që rrjedhin nga kontrata publike me titull: “Furnizimi me gjashtëmbëdhjetë copë aparate fotokopjuese për shkolla – KK Dragash’. Gjatë realizimit të kontratës, në vend të dorëzimit të 16 aparateve të reja të fotokopjimit, siç ishte paraparë me kontratë, janë dorëzuar 16 aparate të ri-fabrikuara, përkatësisht aparate të vjetra të servisuara, në të cilat janë vendosur pajisje të reja shpenzuese. Me këto veprime, Komunës së Dragashit i është shkaktuar dëm ekonomik dhe buxhetor, pasi pajisjet e ri-fabrikuara kanë qëndrueshmëri më të ulët përdorimi, kërkojnë më shumë mirëmbajtje dhe mund të krijojnë kosto shtesë, krahasuar me pajisjet e reja. Po ashtu, Prokuroria ka ngritur aktakuzë edhe ndaj personit juridik (B. Sh.P.K), si operator ekonomik fitues i kontratës së lartcekur, për të njëjtën vepër penale. Prokurori i çështjes, me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që, pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, të pandehurit e lartcekur për veprën penale për të cilën akuzohen, të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit”, thuhet mes tjerash në komunikatën e prokurorisë.
Pas kësaj komunikate, gazetarët kanë kuptuar se bëhet fjalë për kompaninë “BMS SOLUTIONS L.L.C.”, me pronar Burim Plakolli, e cila e kishte fituar tenderin më 07.12.2023, në vlerë prej 14 mijë euro.