Dragash, 18 nëntor 2025 – Në moshën 77 vjeçare, sot kaloi në amshim, Ibrahim Skenderi, njëri nga shkrimtarët dhe krijuesit më të njohur të Opojës. Në Bellobrad dhe jo vetëm, do të mbahem mend shumë gjatë si drejtori më i suksesshëm i shkollës “Sezai Surroi”, vatër kjo që kishte arritur maksimumin e sukseseve, jo vetëm në arsim por edhe në kulturë, sport e art.
I lindur më 1 dhjetor 1948, në fshatin Brrut, treva e Opojës në Komunën e Dragashit, Ibrahim Skenderi ka luajtur rol të rëndësishëm në shoqëri, si krijues shumëdimensional. Pas përfundimit të shkollës Normale në Prizren, ai u drejtua drejt artit figurativ në Prishtinë. Kjo periudhë e formimit akademik ia thelloi pasionin për artin dhe letërsinë, duke e bërë të shquar në këto fusha.
Për 44 vjet, Ibrahim Skenderi ka punuar pa u lodhur në fushën e arsimit, duke i dhënë mundësinë shumë brezave të rinj të zhvilloheshin dhe edukoheshin. Si mësues dhe drejtor shkolle, ai ka kontribuar në përparimin e arsimit në Opojë, duke i mbështetur nxënësit dhe duke i udhëhequr ata drejt njohurive të reja. Përkushtimi i tij ndaj edukatës dhe pasioni për mësimdhënien, e kanë bërë atë një figurë të nderuar në komunitetin opojan dhe jo vetëm.
Si banor i fshatit Brrut, Ibrahim Skenderi ishte thellësisht i lidhur me rrënjët e tij dhe gjithnjë pasuronte krijimtarinë me elemente nga tradita dhe kultura e Opojës. Sa herë që lexonte histori nga kjo anë, ai e shprehte krenarinë për vendlindjen e tij, duke thënë se ajo ka qenë gjithmonë burim frymëzimi për veprat e tij. Prandaj, gjeneratat e reja do të kenë mundësinë të zhvillojnë karrierë dhe të pasurohen artistikisht, duke shfrytëzuar trashëgiminë që la pas, Ibrahim Skenderi, i cili ishte thellësisht i dashuruar ndaj Opojës dhe traditave të saj, duke e çmuar historinë dhe kulturën autoktone të kësaj krahine të vogël në Kosovë.
Krijimtaria letrare e Ibrahim Skenderit është shumëdimensionale dhe pasuron letërsinë shqipe, veçanërisht në fushën e letërsisë për fëmijë. Ai ka botuar 17 vepra autoriale, ku përfshihen poezi, drama, poema, tregime dhe monografi. Prej tyre, 12 vepra janë të dedikuara për fëmijë, duke e bërë atë njërin nga autorët më të njohur në këtë fushë.
Përveç si shkrimtar, Ibrahim Skenderi do të mbahet në mend për ndikimin e tij në promovimin e kulturës dhe letërsisë shqiptare, duke marrë pjesë në shumë aktivitete dhe ngjarje kulturore. Si anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës dhe i Karvanit të Shkrimtarëve për Fëmijë në Kosovë, ka bërë që ai të jetë njëri nga autorët më të rëndësishëm në letërsisë për fëmijë, në Kosovë dhe më gjerë.
Prandaj, ndonëse ai iku sot nga kjo botë, krijimtari e tij, duke shkruar, ilustruar dhe duke dhënë kontributin edhe në fushat e artit dhe letërsisë. Ibrahim Skenderi do të mbetet për shumë kohë si burim motivimi për gjeneratat e reja që do të vijnë, sidomos për ata që janë të interesuar për artin dhe letërsinë. Puna e tij dhe përkushtimi ndaj krijimtarisë e bëjnë atë një figurë të pavdekshme në historinë dhe kulturën tonë në Opojë dhe jo vetëm.
Lamtumirë, Ibrahim Skenderi… (1948 – 2025)
POSTIMI I RADHËSShaban Shabani i PDK-së pranon humbjen – Uron Bexhet Xheladinin!

