Dragash, 22 dhjetor 2023 – Kryetari i Komunës së Dragashit, Bexhet Xheladini, priti sot në kabinetin e tij Kryeshefen Ekzekutive të Postës së Kosovës, Nora Rraci, ecila shoqërohej nga Saranda Ademi, U.D. drejtoreshë e Operativës, Mimoza Vila, U.D. menaxhere Regjionale në Prizren, si dhe Faton Ejupi, U.D. koordinator për Pronat.
Në këtë takim u bisedua për ecurinë e bashkëpunimit ndërmjet Postës së Kosovës dhe Komunës së Dragashit, me ç’rast u nënshkrua edhe vazhdimi i Marrëveshjes për kryerjen e shërbimeve komunale përmes postës, e cila ka për qëllim që t’iu ofrojë qytetarëve të Komunës së Dragashit qasje më të lehtë dhe shërbime më cilësore. Gjithashtu, në këtë tatim u nënshkrua edhe kontrata, e cila i mundëson Postës së Kosovës shfrytëzimin e pronës së paluajtshme komunale (objektin në fshatin Bresanë), për 99 vjet, bazuar në Vendimin që më herët e kishte marrë Kuvendi i Komunës së Dragashit, saktësisht më datën 15.09.2023.
Kryetari Xheladini i falënderoi për bashkëpunimin korrekt përfaqësuesit e Postës së Kosovës, duke shtuar se Komuna e Dragashit është e interesuar që t’iu ndihmojë institucioneve publike, siç është Posta, duke pritur që këto institucione t’iu ofrojnë shërbime më të mira banorëve të kësaj komune.
Në takim u fol edhe për Projektin e Postës së Kosovës, e cila nga qershori i këtij viti është duke u ofruar qytetarëve të Regjionit të Prizrenit, përfshirë edhe Dragashin, shërbimet e aplikimit për Vula Apostile dhe Legalizuese. “Të gjithë qytetarët e Komunës së Dragashit, të cilët aplikojnë për këto dokumente, mund ta bëjnë këtë përmes Postës në Dragash”, u tha në këtë takim.