Dragash, 24 nëntor 2023 – Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL), përmes një shkrese, dërguar institucioneve të Komunës së Dragashit, e ka vlerësuar si të kundërligjshëm shkarkimin e kryesuesit të Kuvendit të Komunës së Dragashit, duke sqaruar se vazhdimi i kryesimit të kësaj mbledhjeje nga zv-kryesuesi nga radhët e komuniteteve joshumicë, nuk ishte në përputhje me ligjin. “Vazhdimi i mbledhjes nga zv-kryesuesi nga radhët e komuniteteve, në mungesë të kryesuesit, është në kundërshtim me ligjin Nr. 03/L-040 për vetëqeverisjen Lokale”, thuhet mes tjerash në shkresën e MAPL-së, tw nënshkruar nga ministri, Elbert Krasniqi, duke shtuar se, në mungesë të kryesuesit, mbledhja do të duhej të kryesohej nga anëtari më i vjetër i Kuvendit.
I kontaktuar nga redaksia jonë, kryesuesi i shkarkuar në mbledhjen e fundit të Kuvendit të Komunës, Uran Halimi, tha se e ka pranuar shkresën e Ministrisë, e cila i është adresuar edhe kryetarit të Komunës, sipas së cilës ai mbetet kryesues. “E kam ditur se janë duke i shkelur ligjet dhe për këtë ua kam tërhequr vërejtjen por, ata prapë kanë vazhduar. Fillimisht e kanë shkelur ligjin kur ka nënshkruar tjetërkush në vendin tim, tek thirrja për mbledhje, pastaj edhe kjo e fundit dhe, ja rezultati. Unë mbetem kryesues”, tha mes tjerash Halimi.
Shkarkimi i kryesuesit, i cili vjen nga radhët e LV-së, ishte renditur si pikë e parë e rendit të ditës, në mbledhjen e dytë të jashtëzakonshme për këtë vit, ku si arsyetim ishte potencuar një varg pakënaqësish, lidhur me mbarëvajtjen e mbledhjeve të legjislacionit komunal.
Halimi e kishte lëshuar mbledhjen, të cilën kishte vazhduar ta kryesojë zv-kryesuesi nga radhët e komuniteteve joshumicë, Munir Jenuzi. Pas shumë debateve, me shumicë të thjeshtë votash (15 nga 27), ishte shkarkua Halimi, i cili ishte emëruar në këtë pozitë dy vjet më parë.
MAPL gjen shkelje – Uran Halimi mbetet kryesues i Kuvendit!
POSTIMI I RADHËSDËNIMI ME VDEKJE – Pro et Contra!