Dragash, 11 dhjetor 2021 – Pavarësisht periudhës nëpër të cilën po kalojmë, siç është pandemia, zgjedhjet lokale, si dhe ofrimi i fundit të vitit, Drejtoria e Arsimit në Dragash nuk ndalet së investuari nëpër shkolla. Drejtori i Arsimit, Vloran Cenaj, në një prononcim për redaksinë tonë, bëri me dije se po vazhdon zbatimin e projektit rreth pajisjes së gjashtë shkollave me laboratorë të shkencave të natyrës. “E gjithë kjo ka për qëllim krijimin e gjeneratave të ardhshme, të cilët nesër do të sjellin vendime duke u bazuar në analiza të fakteve dhe duke menduar edhe në mënyrë kritike. Prandaj, nevojave të shkollave për pajisje me mjete bashkëkohore mësimore po iu përgjigjemi pozitivisht me shpresë se mësimi do të zhvillohet edhe në lëndët e shkencave të natyrës për realizim të suksesshëm të plan-programeve mësimore”, tha mes tjerash Cenaj, duke shtuar se ka për synim avancimin e mjedisit për mësim në shkolla, me theks të veçantë në krijimin e klasave multifunskionale, kabineteve të pajisura me teknologji informative moderne, si dhe laboratorë për shkenca natyrore.