Dragash, 10 gusht 2021 – Në fshatin Bresanë të komunës së Dragashit, sonte fillon edicioni i tretë i festivalit folklorik-burimor “Opoja Vallëzon”, festival ky që ka karakter garues e ku marrin pjesë dhjetëra ansamble e shoqëri të ndryshme nga i gjithë Ballkani. Ky festival organizohet nga SHKA “Bresana” dhe mbështetet nga Drejtoria për Kulturë, Rini e Sport dhe ka për qëllim argëtimin dhe frymëzimin e mërgatës sonë, të cilës i mungojnë vlerat e mirëfillta kulturore.
Siç ka bërë me dije për redaksinë tonë, Fejsal Shaqiri, drejtues i shoqërisë organizatore, për dallim nga vitet e tjera, këtë vit festivalit do t’i bashkëngjiten edhe ansamble e shoqëri nga shtetet Ballkanike. “Festivali do të mbahet në ambient të hapur, në oborrin e shkollës në Bresanë, më datat 10, 11 dhe 12 gusht, ku në çdo mbrëmje do të prezantojnë shoqëri të ndryshme nga Ballkani, duke filluar nga ora 19:00. Ky organizim do të pasurohet edhe më shumë nga prezenca e këngëtareve nga estrada jonë. Gjithsesi, festivali do të ketë karakter garues ku do të zgjidhen performancat më të mira, si në aspektin grupor ashtu edhe në atë individual. Çdo pikë do të përcillet dhe vlerësohet nga juria profesionale, e përbërë nga emrat më të dalluar të folklorit në trojet shqiptare”, tha Shaqiri, duke shtuar se në këtë festival do t’iu jepet përparësi prezantimeve burimore dhe atyre koreografike, gjë që e bën të dallohet nga festivalet tjera.
Deri më tani pjesëmarrjen e kanë konfirmuar:
• SHKA “Bresana” – Bresanë
• AKV “Hajvalia” – Hajvali
• SHKA “Mirqe Acev” – Prilep (Maqedonia e Veriut)
• AKV “Deçani” – Deçan
• Ansambli “Visaret e Krrabës” – Tiranë (Shqipëri)
• Ansambli “Jonuz Ramadani” – Smirë, Viti
• Ansambli “Zëri i Kosovës” – Fushë Kosovë
• SHKA “Duga” – Podgoricë (Mali i Zi)
• SHKA “Komorani” – Komoran, Drenas
• SHKA “Maja e Karafilit” – Vuthaj (Mali i Zi)
• SHKA “Qendra Kulturore” – Kaçanik
• SHKA “Bajram Shabani” – Kumanovë (Maqedonia e Veriut)
• Ansambli “Vaçe Zela” – Fier (Shqipëri)