Dragash, 18 shkurt 2014 – Projekti për Hidrocentralin e Zhurit, mund të pësojë ndryshime. Kështu ka thënë në një intervistë për Radio Kosovën, ministri i Zhvillimit Ekonomik, Fadil Ismajli, duke shtuar se, për këtë projekt, përsëri do të bëhen studime, pa marrë parasysh se deri më tani janë shpenzuar shumë mjete për këtë qëllim. Ndërkaq, Ish-ministrja Justina Shiroka-Pula, vazhdimisht e potenconte Hidrocentralin e Zhurit, si projekt shumë i rëndësishëm, i cili do të realizohet. Por, pasuesi i saj, ministri i Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj, gjithnjë e më pak e përmendte këtë projekt. Ministri aktual i dikasterit në fjalë, Fadil Ismajli, nuk e ka përmendur fare. “Nuk po e përmendi fare, por ne jemi duke u marrë me ‘Zhurin’ dhe do të merremi seriozisht edhe në të ardhmen. Edhe prej pozitave tjera ku kam qenë, unë isha për një studim të arsyes ekonomike, sepse një fizibilitet i cili ishte bërë nuk më ka bindur për fizibilitetin e ‘Zhurit’. Nuk i ka bindë as investitorët potencialë, sepse aty ka pas edhe kërkesë për shprehje të interesit dhe asnjë prej investitorëve nuk ka ardhur për ta shprehur atë interes”, tha Ismajli, duke paralajmëruar se gjatë këtij viti do të merren intensivisht me këtë çështje, që përfundimisht të jepet përgjigja, se çka do të bëhet me projektin për hidrocentralin e Zhurit. “Mund të pësojë ndryshime, por ndryshimet që eventualisht mund të bëhen, duhet të jenë mbi bazën e studimeve shumë të thukëta dhe mbi bazën e të dhënave, të cilat më pas iu ofrohen investitorëve. Nga këta të fundit do të varet pastaj, nëse do të binden se ky projekt është i arsyeshëm dhe ia vlen të investosh”, tha Ismajli.
Ndonëse janë shpenzuar mjete të konsiderueshme për studime, apo për këshilltarë të transaksionit të projekteve të ndryshme, ministri Ismajli thotë se, megjithatë, nuk duhet kursyer në këtë aspekt. “Çështja e studimeve, këshillimeve, analizave, hulumtimeve e kështu me radhë, mund të arsyetohen. Po ta marrim shembullin e Japonisë, do të shohim se 30% e profitit të ekonomisë shpenzohen në hulumtime, në studime dhe analiza, nga të cilat më pas merret një përgjigje”, thotë Ismaili.
Ujërat që burojnë në Kosovë dhe që do të përdoreshin për Hidrocentralin “Zhuri”, planifikoheshin të shfrytëzoheshin edhe nga Shqipëria, për projektet e Hidrocentraleve në zonën e Kukësit. Për këtë qëllim ishte formuar edhe grupi ndërshtetëror, për të diskutuar rreth çështjes së ujërave. Ndërkohë, Komuna e Dragashit ka nxjerrë Vendim, përmes së cilit ndalon ndërtimin e shtëpive të reja, në zonën ku planifikohet akumulimi i ujit. Por, aktualisht asgjë nuk është e qartë se çfarë do të bëhet me këtë projekt, ndërkohë që në atë zonë po vazhdon ndërtimi i shtëpive.
Hidrocentrali “Zhuri” – Nuk ka përfunduar gjithçka!
POSTIMI PARAPRAKHudhra – Dobitë dhe të këqijat e saj!
POSTIMI I RADHËSDita e pavarësisë u festua bujshëm në Dragash (Video)
Leave a Reply
You must be logged in to post a comment.