Wiliamson: “Hetimet për trafikim organesh, vazhdojnë”


prokurori williamson aktakuzaPrishtinë, 30 korrik 2014 – Një ditë pasi i bëri publike të gjeturat kryesore të hetimeve nga ekipi i tij special hetues, ambasadori amerikan Clint Williamson, në cilësinë e kryeprokurorit të Task Forcës Speciale, insiston se ka dëshmi të mjaftueshme për të ngritur aktakuza ndaj udhëheqësve më të lartë të UÇK-së dhe e arsyeton nevojën që procedurat gjyqësore kundër tyre të zhvillohen jashtë territorit të Kosovës. Në një intervistë për “Kohën Ditore“, e cila do të botohet në numrin e nesërm, Williamson thotë se, sikur të ishte në funksion Gjykata Speciale, që tani ai do të ishte në gjendje të ngrinte edhe formalisht aktakuzën e tillë. “Është paksa e vështirë të spekulohet rreth kësaj, por mendoj se, sikur të kishte një gjykatë të krijuar, ne do të ishim në gjendje që në këtë moment të ngrejmë aktakuzat“, citohet të ketë thënë Williamson, duke hezituar të përmend emrat e atyre që pritet të akuzohen. “Ne e dimë se kush janë ata persona, për të cilët mendojmë se janë përgjegjës për këto krime. Por, hetimet do të vazhdojnë dhe do të jenë të fokusuara mbi ta. Varësisht se si do të shkojnë hetimet në muajt e ardhshëm, individë tjerë do të mund të përfshihen në atë listë“, thotë Williamson në këtë intervistë, duke përsëritur se nuk do të akuzohet UÇK-ja por individë me përgjegjësi të lartë.
Lidhur me dyshimet rreth trafikimit të organeve, Williamson thotë se beson që këto gjëra kanë ndodhur. “Megjithatë, nuk ndjehemi në këtë moment se kemi mbledhur prova të mjaftueshme për të pasur një rast në gjykatë. Por, kjo pjesë e hetimeve do të vazhdoj dhe, nëse dëshmitë do të shtohen, atëherë jemi të hapur për ti përfshirë edhe këto krime në aktakuzat të cilat do të ngrihen”, ka thënë mes tjerash Williamson.