Dragash, 03 shtator 2014 – Edhe pas një muaji, vazhdojnë përpjekjet për gjetjen e të zhdukurit, Enver Vahit Çengajt (42), nga fshati Pllajnik, me banim në Dragash, i cili më 30 korrik të këtij viti ishte larguar nga shtepia dhe ende nuk dihet gjë për fatin e tij.
Redaksia jonë e ka vizituar sot familjen e tij, ku ka mësuar se e shoqja kishte marrë një telefonatë anonime, përmes së cilës është njoftuar se burri i saj është parë në lagjen “Jaglenica” të Prizrenit. E shoqja, e cila po përkujdesët e vetme për dy fëmijë të mitur, i tha Radio SHARRI-t se brenga shtohet më shumë, për faktin se i shoqi është me të meta. Ajo iu bëri thirrje qytetarëve, që mos të bëjnë telefonata anonime. Por, nëse e shohin diku burrin e saj, me që është me të meta, ta kapin me forcë dhe ta kthejnë në shtëpi, ose të kërkojnë ndihmën e policisë. Nga ana tjetër, vëllai i madh i Enverit, Xhevat Çengaj, tha se asnjë punë nuk po mund të bëjnë, pasi gjithë kohën po merren me kërkimin e të vallait. “Kërkimi për të na kushtoi edhe me humbjen e vëllait tjetër, të cilin e goditi rrufeja. Bashkë me dy vëllezërit tjerë, gjithnjë merremi me kërkimin e Enverit dhe, nuk mund ta kuptojmë se si ka mundur ai të zhduket dhe ku mund të ndodhet aktualisht. Sa herë që dikush na njofton për ndonjë gjurmë të tij, ne vrapojmë pas asaj gjurme, me shpresë se mund ta gjejmë. Por, me që kaloi një muaj, kemi filluar të dyshojmë për më të keqen, pasi ai do të paraqitej diku, nëse është i gjallë. Nuk mund ai të jetonte kaq kohë i fshehur, pa ushqim”, tha për Radio SHARRI-n, Xhevati.
Si vëllai më i madhë që është, Xhevati ka kërkuar më shumë përkrahje nga shteti, duke angazhuar potencialin kërkues, konkretisht qentë që ka policia, për të filluar një kërkim më serioz, pasi qentë do të mund ta gjenin, siç thotë ai, edhe nëse është i vdekur. “Shteti do të mund të bënte më shumë për kërkimin e Enverit. Mjafton që policia të zhvillonte një kërkim me qëntë që janë për këtë punë dhe, gjallë apo vdekur, do ta gjente vëllanë. Fundja, kemi të bëjmë me zhdukjen e një njeriu dhe shteti duhet të bëjë më shumë”, thotë Xhevati, duke mos e fshehur zhgënjimin dhe i mbingarkuar me teori, nga më të ndryshmet, për fatin e vëllait.