Elbasan, 29 mars 2015 – Me një lojë fantastike, Shqipëria ka arritur ta përmbysë avantazhin e Armenisë nga pjesa e parë, për ta fituar këtë sfidë të vlefshme kualifikuese për Euro 2016, me rezultatin, 2:1. Euforia shqiptare për këtë ndeshje, iu kushtoi kuqezinjve që në minutën e 4, me ç’rast mysafirët kaluan në epërsi. Ishte lojtari Mkhitaryan, i cili e kaloi me lehtësi Canën dhe harkoi ulët tek Movsisyan, i cili vetëm pak e devijoi topin që përfundoi në rrjetën tonë.
Pavarësisht faktit se kuqezinjtë e dominuan vazhdimin e pjesës së parë, duke krijuar raste të shumta për të shënuar, megjithatë nuk u shfrytëzua asnjë nga rastet e shumta. Në pjesën e dytë të ndeshjes, kuqezinjtë kishin sulme të njëpasnjëshme dhe assesi nuk ndaleshin, por shtyllat vazhdonin të ishin pengesë për të shënuar gol.
Përfundimisht, kombëtarja jonë e përmbyti rezultatin, kur Mërgim Mavraj mrekullisht shënoi me kokë, duke e barazuar rezultatin, në minutën e 77 të ndeshjes. Më pas, angazhimi i Lenjanit nga e majta u shoqërua me një harkim perfekt të tij dhe, ishte Shkëlzen Gashi që shënoi golin e fitores, në minutën e 82. Pas kësaj fitoreje, me rezultatin 2:1, Shqipëria radhitet e dyta në Grupin e Parë, me shtatë pikë të tubuara, po aq sa ka edhe Danimarka, e cila ndodhet në vend të parë.
• Shiko pamjet VIDEO