• Këtë fillim vit, i madh e i vogël jemi tmerruar nga ndodhitë e fundit, të arsyeshme e të pa arsyeshme, të organizatave të ndryshme sindikale dhe politike, me greva e protesta, të ndershme e të pa ndershme, që kanë ngulfatur jetën normale në ketë gjysmë shteti që e kemi. Të gjithë jemi në dijeni se kemi pasur dhe kemi një qeveri që, shpeshherë, ka ditur ta injoroj popullin dhe të punoj me një kryeneçësi të paparë.
Natyrisht që populli ka arsye të shumta për protesta e greva. Një ndër arsyet për të cilat mund të protestohet është kërkesa për ndryshimin e kushtetutës Sui Generis të Kosovës që favorizon në skajshmëri një grup të caktuar etnik, e shpeshherë bllokon shtetin, për hir të tekave të një minoriteti. Pastaj, mund të protestohet kundër qeverisë që lejon anëtarë të saj e edhe shërbyes të ndryshëm që të mbajnë më shumë se një vend pune në institucione publike, e ku marrin paga enorme të larta, të protestohet që t’iu rriten të ardhurat sociale të papunëve, si qytetarë të Kosovës që janë në numër të madh, të protestohet kundër shtrenjtimit të shpeshtë të çmimit të rrymës, kundër trajtimit skllavëror të punëtorëve në sektorin privat që punojnë më shumë se 60 orë në javë, të shtunave e të dielave, pa kurrfarë të drejte në shfrytëzim të pushimeve, me paga qesharake nga 2 deri 3 herë më të ulëta se në sektorin publik, madje shpesh nuk ju paguhen edhe kontributet pensionale nga disa punëdhënës “Skllavopronarë”. E gjithashtu kemi edhe dhjetëra e qindra arsye tjera për greva, revolta dhe protesta të qytetarëve që kanë humbur çdo shpresë për jetë më të mirë në ketë vend.
Së fundmi pamë greva të një shtrese që përfaqësojnë dy sektorët publik që janë në gjendjen më të tmerrshme që nga pas lufta, sa i përket kualitetit dhe ofrimit të shërbimeve, e që nga raportet e Progresit të Komisioni Evropian, thuajse për çdo vit vihen në qendër të kritikës për cilësi të dobët të ofrimit të shërbimeve, por në anën tjetër kanë pagat më të mira nga shumica e sektorëve tjerë që paguhen nga buxheti i shtetit, e këta sektor janë Arsimi dhe Shëndetësia.
Nga një buxhet shumë i varfër i Kosovës, krahasuar me vendet përreth, kjo shtresë e nëpunësve publik është shtresa më e privilegjuar, sa i përket pagave të tyre. Këta duhet të kujtojnë që jetojnë në një Kosovë me mbi 200 mijë njerëz të pa punë e që rreth 20% e tyre kanë kualifikime të larta, siç kanë edhe kjo shtresë që kërkon rritje pagash. Paga e një mësuesi, me 20 orë në javë punë, me 3-4 muaj pushim vjetor, në Kosovë është 450 euro, nga një buxhet prej 1.45 miliardë eurosh sa ka Kosova, ndërsa koleget e tyre nga vendet përreth marrin nga 370 euro në muaj në Shqipëri gjegjësisht nga 400 euro në muaj në Maqedoni e Serbi, nga një buxhet shtetëror shumë më i lartë se ky i yni. Personalisht kam punuar edhe në sektorin privat edhe në Arsim e edhe si shërbyes civil dhe, e di se sa punohet në secilin sektor. Në arsim, një arsimtar ka rreth 670 orë pune në vit dhe për një vit, tash pas rritjes së pagave, paguhet mesatarisht 5400 euro, e që i bie të paguhet rreth 8 euro për një orë pune, duke pasur parasysh edhe faktin se një orë tek arsimtaret ka 40 minuta, është me të vërtetë mbresëlënës trajtimi i kësaj shtrese nga ekzekutivi i vendit. Hiç më keq nuk qëndrojnë edhe mantelbardhët. Ata kanë një page neto, rreth 600 euro në muaj dhe, me shtesat tjera mujore i bie që të marrin rreth 900 euro në muaj, e që janë shumë më mirë të paguar se koleget e tyre në vendet e rajonit, siç edhe mund të shihet në tabelën që po e publikojmë këtu. S’po e përmendim këtu jetën luksoze që bëjnë këta punëtorë publik, shpeshherë duke shfytyruar institucionet shëndetësore si urë ndërlidhëse për të promovuar bizneset e tyre private që gjenerojnë mijëra euro në muaj.
O Sindikalistë të Arsimit dhe Shëndetësisë, o Arsimtarë, o Mjekë, kujtoni një herë që ka rreth 40 mijë të pa punë në Kosovë e që kanë kualifikime të njëjta me ju, e në disa raste edhe më të larta se ju, por që punojnë shërbyes në kafene të ndryshme, hamallë në magazina të ndryshme, kuzhinierë, blegtorë e bujq, vozitës kamioni e taksistë, e shumë të tjerë që bredhin rrugëve edhe pse kanë titull master, të marrë në mënyrë shumë të ndershme. Këta punëtorë të kualifikuar marrin paga qesharake, nga 150 deri 250 euro, e për të cilët e shtuna e diela janë njëjtë si gjithë ditët tjera, në qershor, korrik e gusht nuk e shijojnë as natyrën e as detin. Dhe, kur të dalin në pension, nuk do t’i kenë 10 mijë euro të grumbulluara në trustin pensional, ashtu siç do t’i keni ju, nuk do të kenë as pagë jubilare e as nuk do të marrin dy paga shtesë, e as që do të përfitojnë 1% rritje page për dy vite të përvojës në punë, e as e as…
Shteti nuk ndërtohet e as nuk dashurohet, duke u munduar me e zhdëp atë. Kujtoni se shteti është përgjegjës për t’i plotësuar shumë e shumë nevoja tjera të qytetarëve, përveç pagave. Kujtohuni se jemi rast, ndoshta prej të paktëve në botë, ku 44% e buxhetit shtetëror shkon në paga të punëtorëve të sektorit publik, e ku mbesin sektorët tjerë.
Taksat e tona nuk duhet të shkojnë vetëm në paga të nëpunësve civilë e publikë, me to duhet të kryhen edhe shumë e shumë shërbime tjera, për të cilat kanë nevojë qytetarët, si për rrugë kualitative, ujë të pijshëm, kanalizime, ndihmë të sektorit privat, investime në turizëm, në bujqësi, industri, e qindra e qindra sektorë tjerë, në mënyrë që të kemi një jetë sa më cilësore, një klimë më të favorshme për të jetuar në ketë vend. Një ndër arsyet pse rinia jonë, e madje edhe të tjerë më të shtyrë në moshë largohen sot më të madhe nga ky vend, është edhe mënyra e injorimit që i bëhet nga ana e qeverisë dhe institucioneve tjera sektorit privat dhe favoreve e benefiteve të cilat i gëzon sektori publik.
Nëse jemi të pakënaqur me trajtimin dhe privilegjet e ndonjë shtrese të veçantë të nëpunësve civilë, publikë apo politikë, të mos çohemi të protestojmë e të bëjmë greva në mënyrë që edhe ne të arrijmë ato privilegje e të dëmtojmë shtetin tonë, por të çohemi të protestojmë e të bëjmë greva që atyre që gëzojnë këto privilegje në mënyrë të padrejtë, t’iu hiqen këto privilegje, në mënyrë që ta zhvillojmë shtetit tonë.
Për fund, duhet të shtojmë se protestat dhe grevat janë një metodë mjaftë e mirë për të zgjuar ndërgjegjen e qeverisë, në mënyrë që të rritet kualiteti i shërbimeve dhe të përmirësohet standardi jetësor dhe siguria e të gjithë qytetarëve që jetojnë në Republikën e Kosovës, pa dallim, e jo që të ja përmirësojmë kushtet një shtrese të caktuar të këtyre qytetarëve, në dëm të “gjysmë” Republikës sonë.
Të protestojmë për Ne, jo për Ata!
POSTIMI PARAPRAKEdhe opojanët ia mësyjnë Perëndimit (Video)
POSTIMI I RADHËSSamidin Xheladini, anëtari më aktiv në Kuvendit e Dragashit!
Leave a Reply
You must be logged in to post a comment.
E qe ia paska fut kot. Ky Sigurisht nuk jeton ne Kosove. Po cili arsimtar e ka rrogen 450 euro sic po thua ti more idiot. Sigurisht e ke barkun plot dhe ke shkruar keshtu ose je militant i marre i LDK-se ose PDK-se.
E nderuar, paga e një arsimtari – profesori sillet nga 410 deri në 480 euro për momentin! Tash kemi edhe rritjen në bazë të përvojes së punës për 0.5% për një vit pune, që mund të jetë edhe më e madhe se kaq për ata që kanë më shumë vite përvojë! Ja ke huq këtu, Mirjeta. Duhet flitet me fakte jo me hamendje! Me sa i kam pa statistika të përafërta ka publikuar edhe RTK në edicionin e lajmeve një ditë më parë, kështu që gjithçka që është thenë në ketë tekst është autoktone!