Dragash, 24 shkurt 2022 – Kryesuesi i Kuvendit të Komunës së Dragashit, Uran Halimi, e ka caktuar mbledhjen e dytë të jashtëzakonshme për ketë vit, ku pika më e rëndësishme është votimi për shkarkimin e tij.
Krejt kjo ka ardhur si rrjedhojë e prishjes së koalicionit mes LDK-së dhe LV-së, të cilët paraprakisht kishin zgjedhur Halimin (LV) për kryesues, por që më pas doli se gjërat nuk po shkonin ashtu siç kishin planifikuar dy subjektet e koalicionit.
Uran Halimi ishte zgjedhur me 17 vota PËR, nga koalicioni LDK – Lëvizja Vetëvendosje, ndërsa pas prishjes së koalicionit Lidhja Demokratike e Kosovës kërkon shkarkimin e tij, me arsyetimin se nuk është i përgjegjshëm në detyrën për çfarë është zgjedhur.
Mbledhja është thirrur për në orën 09:00, ku paraprakisht do të jap betimin kuvendari i ri, Edin Kurt (JGP), i cili do ta zëvendësojë bashkëpartiakun e tij, Fejsal Haliloviq, i cili është zgjedhur në postin e nënkryetarit të Komunës nga radhët e komuniteteve joshumicë.
Nëse do të shkarkohet Halimi, është paraparë që si pikë e tretë e rendit të ditës, të iniciohet zgjidhja e kryesuesit të ri të kuvendit.