Dragash, 04 qershor 2016 – Në fshatin Zgatar të Opojës, fshat ky nga e kishte prejardhjen kryeministri i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, Ymer Prizreni, është mbajtur sot manifestimi tradicional letrar – kulturor “Sofra e Ymer Prizrenit”. Pjesë e këtij aktiviteti, përveç banorëve të Zgatarit dhe fshatrave të tjera të komunës së Dragashit, ishin krijues e letrarë nga kjo komunë dhe vise të tjera të Kosovës, Shqipëria, Maqedonia, Lugina e Preshevës etj. Prezent ishin edhe mysafirë të shumtë dhe drejtues të pushtetit lokal në Dragash, me në krye, Salim Jenuzin – kryetar komune, i cili poashtu vjen nga fshati i Ymer Prizrenit – Zgatari. Organizatorët e këtij manifestimi, drejtues të Klubit Letrar “Luigj Gurakuqi” në Dragash, Osman Bojaxhiu dhe Ibrahim Skenderi, thanë se, përmes kësaj ngjarjeje që po mbahet në prag të shënimit të 138-vjetorit të Lidhjes Shqiptare, krijuesit letrarë dhe njerëzit e kulturës nga hapësirat mbarëshqiptare, po shpalosin vlerat e tyre dhe të personaliteteve tona të shquara, siç ishte Ymer Prizreni. “Them se manifestimi i sotëm u përmbyll me sukses dhe se organizimi këtë vit ishte më i realizuar dhe, e veçanta e kësaj ishte, prezenca e poetëve nga të gjitha trevat shqiptare, ku edhe e nderuam, Tiranën me vendin e parë, Prizrenin me vend të dytë dhe Buzovcën me vend të tretë”, tha për Radio Sharrin, kryetari i klubit “Luigj Gurakuqi”, Osman Bojaxhiu, pas përfundimit të manifestimit.
Aktiviteti i sotëm kulturor, i cili u organizua nën patronatin e kryetarit të Dragashit, Salim Jonuzit, ngjalli emocione për të gjithë ata që prezantuan, sidomos për mysafirët e largët. Poezitë më të mira të vlerësuara nga komisioni përkatës i manifestimit iu ndanë, Kozeta Zavalanit nga Tirana, Mirvete Kabashi-Lekut nga Prizreni dhe Esat Mehmetit nga Buzovca e Tetovës. Por, në këtë manifestim u nderuan me mirënjohje të gjithë poetët që morën pjesë në Sofrën poetike, ndërsa është shfaqur edhe një program i pasur artistik nga disa shkolla të komunës së Dragashit. Por, ajo që u veçua si shfaqje më interesante, ishte drama e përgatitur nga profesori i gjimnazit të Dragashit, Ismet Lecaj, dramë kjo që i ktheu në kujtesë veprimtarët e Lidhjesh Shqiptare të Prizrenit, me në krye, Ymer Prizrenin.
Sofra e Ymer Prizrenit mblodhi në Opojë poetët mbarëshqiptarë!
POSTIMI PARAPRAKRrahje masive në Zym – Lëndohen tre persona!
POSTIMI I RADHËSGjithçka gati për “Sofrën e Ymer Prizrenit”
Leave a Reply
You must be logged in to post a comment.