Prizren, 14 tetor 2014 – Parlamenti Studentor i Universitetit “Ukshin Hoti” në Prizren, ka kërkuar që t’mos anulohet konkursi për emërimin e rektorit të kësaj vatre arsimore, pasi, sipas tyre, një gjë e tillë do ta dëmtojë seriozisht këtë universitet. Ata kanë kërkuar që sa më parë të procedohet me zgjedhjen e rektorit.
Nëpërmjet një reagimi publik, studentët kanë konstatuar se nuk ka arsye që çështja e zgjedhjes së rektorit të neglizhohet. “Kërkojmë nga Këshilli Drejtues i Universitetit që sa më parë të procedojë më tutje me procedurat e zgjedhjes së Rektorit. Rektori i ri i Universitetit duhet të jetë një kuadër që ka përgatitjen adekuate akademike, përvojën e duhur menaxheriale në arsimin e lartë dhe gatishmërinë për të kontribuuar në zhvillimin e universitetit tonë. Zgjedhja e rektorit duhet të bëhet komform Ligjit për Arsimin e Lartë, Statutin e Universitetit, konkursin e Këshillit Drejtues dhe mbi bazën e meritës së kandidatëve. Gjithashtu, ne konsiderojmë se nuk ka arsye që të anulohet konkursi dhe, mendojmë se një gjë e tillë do ta dëmtojë seriozisht Universitetin tonë, duke marrë parasysh që ka kandidatë të pranueshëm që i plotësojnë kushtet e parapara në konkurs. Zvarritjet në konstituimin e menaxhmentit të ri po i kushtojnë universitetit tonë. Andaj, kërkojmë nga Këshilli Drejtues që ta merr seriozisht kërkesën e Parlamentit Studentor. Njëkohësisht, ju bëjmë me dije se jemi duke i shqyrtuar edhe mundësitë e reagimeve në forma të tjera, me qëllim që të kontribuojmë në këtë proces”, thuhet mes tjerash në reagim.