Dragash, 06 janar 2023 – Ditën e parë të punës për vitin 2023, qeveria komunale në Dragash e filloi me mbledhjen e saj, të cilën e kryesoi i pari i kësaj Komune, Bexhet Xheladini. Në këtë mbledhje u analizua puna njëvjeçare, që kur kjo përbërje e mori pushtetin, si dhe u diskutua rreth sfidave e përparësive në përgatitjen e planeve dhe raporteve të punës, ku përfshihet edhe përgatitja për kontrollin nga Auditori i Jashtëm. Menaxhimi i listës së pagave, formimi i komisioneve për hartimin e kërkesave për material hargjues dhe renovues, përgatitja e materialit për ankand publik për asetet e papërdorura, evidentimi i punimeve dhe renovimeve që do të kryhen në arsim dhe shëndetësi, marrja e vendimit për shpalljen e tenderëve për investime kapitale për projektet e gatshme, marrja e vendimit për vazhdimin e punimeve për projektet 2 – 3-vjeçare etj. Gjithashtu u kërkua që të bëhet vlerësimi i punëtorëve përmes formularëve për vlerësim, u diskutua për disiplinën në punë dhe mundësinë e aplikimit të orarit të punës (08:00 – 16:00), si dhe u formua Këshilli Organizativ për Kremtimin e Festave Shtetërore dhe të tjera organizime. Më pastaj u autorizua drejtori i Arsimit që të shpallë tenderin për transportin e nxënësve në relacioninet, Zgatar-Blaç, Zaplluxhe-Blaç, Brrut-Bellobrad, Buçe-Llapushnik, Brezne-Llapushnik, si dhe u mor vendim që, deri në fund të këtij viti, nxënësve të shkollës së mesme t’iu paguhet e tërë shuma e transportit, kurse nga shtatori i këtij viti do t’iu paguhet 50% e çmimit të transportit.
Në fund të takimit, kryetari i Komunës kërkoi nga drejtorët që të hulumtojnë mundësinë e gjetjes së tokës jopunuese për investitorë të huaj që duan të vendosin panele solare, me kusht që, së paku 40 hektarë të jenë në një vend. Krejt në fund, kryetari Xheladini falënderoi të gjithë drejtorët dhe pjesëtarët e kabinetit të tij për bashkëpunimin e mirë, duke iu kërkuar disiplinë në punë dhe rritje të angazhimit të gjithë stafit komunal dhe administrativ, me synimin për të kryer edhe më shumë punë të mira dhe shërbime edhe më efikase në të ardhmen për qytetarët.