Protesta e shqiptarëve të Maqedonisë, me prapavi xhihadiste?


shqiptaret maqedoni xhihadShkup, 05 korrik 2014 – Tirana dhe Prishtina zyrtare kanë shprehur kritika ndaj protestës së djeshme në Shkup, për të cilën thonë se më shumë ka marrë ngjyrime fetare, sesa etnike dhe kombëtare. Një zyrtar i lart i Qeverisë së Shqipërisë, citohet ti ketë thënë Agjencisë së lajmeve INA, se përshëndesin format e tilla të shprehjes së protestës dhe revoltës përmes protestave demokratike, por jo edhe futjen në to të elementeve fetare. “Problemet e shqiptarëve në Maqedoni janë të karakterit etnik e politik, prandaj s`ka këtu hapësirë apo probleme fetare. Vetë mënyra e shprehjes së pakënaqësisë me thirrje fetare dhe flamuj fetar, krijon një huti dhe devijon problematikat shqiptare që janë më se reale, dhe kështu përfiton pala tjetër, duke e karakterizuar protestën si fetare dhe islamike”, citon INA një zyrtar të lart të Qeverisë në Tiranë.
Pakënaqësi dhe reagime të njëjta janë shfaqur edhe në Prishtinë, ku është kritikuar forma e protestës dhe elementet e saj. Përmes rrjeteve sociale, shumica e shqiptarëve kanë shprehur kritika për formën dhe keqpërdorimin e protestës nga ana e disa elementeve dhe individëve me prapavijë fetare. Agjencia INA e ka cituar gazetarin dhe analistin, Enver Robelli, i cili ka shkruar një mesazh kritik ndaj protestës së zhvilluar në Shkup. “Dalin shqiptarët për të kërkuar të drejta kombëtare dhe për të protestuar kundër arrestimeve në Maqedoni, por nuk kanë asnjë kërkesë të logjikshme politike. Në vend të këtyre kërkesave, ata thirrin ‘Allahu-Akbar’ dhe ‘Shqipëri etnike’. Valëvisin flamuj arabë dhe, aty-këtu, sa për sy e faqe, edhe ndonjë flamur kombëtar. Protestojnë kundër shtypjes nga shteti maqedonas me flamuj të xhihadit. Nuk bartin plisa, por do kapuça piratësh dhe beduinësh. Në të ashtuquajturën protestë të Shkupit, pjesëmarrësve u mungonin vetëm ibrikët dhe legenët për avdes! Në protestën e ardhshme, me siguri se do të vijë edhe Shefqet Krasniqi nga Prishtina, kanakari i qarqeve ekstremiste islamike. Atë edhe policia serbe e pat lejuar të shkojë në Preshevë, për t’iu folur shqiptarëve për fenë, por jo për atdhenë!”, ka shkruar Robelli.