Dragash, 09 nëntor 2023 – Ndonëse largohen nga mëmëdheu për një jetë më të mirë, mërgimtarët tanë me mendje e zemër mbesin këtu. I tillë është edhe Miftar Tërshnjaku nga fshati Plavë, komuna e Dragashit në Kosovë, i cili nuk resht së shkruari vargje me përmbajtje dhe porosi që kombin dhe mëmëdheun ta duam mbi gjithçka tjetër.
Së fundmi, ai ka botuar vëllimin me poezi, të përmbledhura në librin “Krerët t’i Bashkojmë”, ku qartazi vërehet se po e mundon ndasia dhe inatet që po reflektojnë politikanët në radhë të parë, të ndjekur edhe nga popullata nëpër rajone dhe shtete ku banojnë shqiptarët.
Ndonëse këtë vëllim ia ka kushtuar Ditës së Alfabetit tonë, porosia e autorit duket se shkon tek krerët që po na udhëheqin, kudo në tokat shqiptare. Kjo, sepse, kur bashkohen kokat udhëheqëse, rrjedhimisht do të bashkohet edhe kombi ynë, pavarësisht se në cilën krahinë apo shtet jeton.
Nëse shkëpusim vetëm disa vargje të “qëndisura” me atdhedashuri nga Tërshnjaku, do ta ndjejmë se sa të mëdhenj jemi, aq të mëdhenj sa që e tërë bota shpesh merren me ne.
Sa të jetë gjallë shqiptari,
çerdhet tona s’preken dot,
ato mbeten djepi ynë
që rrit breza për jetë e mot.
Nga këto vargje, kuptojmë se poeti, Miftar Tërshnjaku, pavarësisht veprimtarisë që ushtron larg mëmëdheut, mendjen dhe zemrën e ka aty ku ka lindur. Dhe, herëdokurë, aty do të kthehet.
Kujtojmë se, ky vëllim poezish, nuk është i vetmi nga poeti, Miftar Tërshnjaku. Ai ka botuar edhe shumë vëllime të tjera, të cilat ndërlidhen me porosi për bashkim kombëtarë, atdhedashuri, si dhe për vlerësim të qenies sonë në përgjithësi.