Prishtinë, 08 korrik 2014 – PDK-ja i ka mohuar shkrimet në disa media, sipas të cilave Thaçi ka hequr dorë nga posti i kryeministrit, duke ua ofruar këtë post partive të tjera, në shkëmbim të koalicionit. Memli Krasniqi, i ka hedhur poshtë këto deklarata të bëra nga LDK-ja, Vetëvendosja dhe AAK-ja, të cilat pretendojnë se kanë marrë oferta nga PDK-ja për postin e kryeministrit.
Sipas Krasniqit, kjo pozitë i takon fituesit të zgjedhjeve dhe është e panegociueshme. “Partia Demokratike e Kosovës, si fituese e pakontestueshme e zgjedhjeve parlamentare të 8 qershorit, është duke i respektuar afatet ligjore dhe ende nuk ka filluar negociatat për krijimin e Qeverisë së Misionit të Ri. Të gjitha partitë, humbëse të këtyre zgjedhjeve, duhet ta kuptojnë njëherë e mirë se pozita e kryeministrit është e panegociueshme sepse ajo i takon partisë fituese, ashtu siç e kanë përcaktuar qytetarët me vullnetin e tyre të lirë dhe siç e ka rikonfirmuar edhe Gjykata Kushtetuese. Qeveria e Kosoves do të udhëhiqet nga Partia Demokratike e Kosovës, në koalicion me partnerët që e kanë prioritet zhvillimin e vendit, krijimin e vendeve të reja të punës dhe zbatimin e Misionit të Ri. Në asnjë rast nuk do të qeverisim me ata që duan ta kthejnë vendin tonë prapa, gjatë procesit të shtetformimit dhe të integrimeve euro-atlantike”, ka deklaruar Krasniqi.
Gjatë ditës së hënë janë dhënë shumë informacione, se PDK-ja e ka ofruar postin e kryeministrit për LDK-në, AAK-në dhe Vetëvendosjen, vetëm e vetëm që njëra nga këto subjekte të hyjë në koalicion me Thaçin. Mirëpo, deklarata e Krasniqit bën të ditur se politikanët po vazhdojnë me taktikat e tyre politike, të cilat po shfrytëzohen nga mediat elektronike, mbase për të fitur sa më shumë klikime.