Pandi Laço dhe “inxhet e Tironës”, dridhën para Zdravkos!

bedri halimi opinionNga: Bedri HALIMI


 Televizioni Klan, në Shqipëri, është shumë i njohur për shikuesit. Në vazhdën e programeve të tij, kanë qenë edhe emisionet e njohura, si “Këngët e shekullit” i cili program pati bërë jehonë në publikun e gjerë. Pastaj, vazhduan me margaritarët e muzikës botërore, i cili emision relativisht ishte i mirë, ndonëse me të meta të theksuara. Së voni, ky televizion ka filluar emetimin e programit “Kënga ime”, në të cilën paraqiten nga shtatë interpretues të ndryshëm nga trojet shqiptare, me nga dy pika muzikore, ku njërën nga këto juria profesionale, e përbërë nga Aleksandër Lalo, Eda Zari, Eli Fara… me profesionalizëm e kryejnë punën e vetë, të cilët është kënaqësi t’i dëgjosh, sepse asnjëri nga këta nuk është i nivelit të Pandi Laços, i cili, si anëtar jurie në X-Factor Albania, më shumë se sa një profesionist, të ngjan në një njeri që është duke sharruar dru me një sharrë që nuk pret.
Udhëheqja e programit, duket se çalon shumë, sa që të përkujton programet argëtuese në Televizionet e Kosovës, të cilat, fund e krye, janë improvizime diletante. Në këtë rast, edhe udhëheqja e këtij emisioni janë tepër improvizues, jo tërheqës, të ftohtë, të thatë në fraza, të cilët të krijojnë neveri, sikur në emisionin “Odeon”. Këtu vlen të theksohet edhe diskrepanca e madhe mes nivelit artistik të të ftuarve, të këngëtarëve që do të prezantojnë pikat muzikore, ku janë të ftuar, që nga emrat e njohur, e deri tek anonimusët. Një kriter i përzgjedhjes së tillë është fyerje për të gjithë emrat e njohur, siç janë: Bujar Qamili, Mukadesë Çanga, Ramadan Krasniqi, Selami Kolonja, Maja etj. Për shembull, si mund të krahasohet interpretimi i profesionistit, Selami Kolonja, me një përfaqësuese nga Kosova, e cila, përpos që ishte e veshur me të bardha, asgjë nuk qiti në dritë me interpretimet katastrofale të saj.
Ky emision i Pandi Laços, të cilin me të drejtë dikush e quajti “mizantrop”, e arriti kulmin me mysafirin special, përkatësisht me këngëtarin e njohur serb, Zdravko Çoliq.
Nuk kemi averzion nga asnjë këngëtar dhe, as nga muzika serbe sepse, në fund të fundit, është art i një populli. Por, shtrohet pyetja se cili është kriteri etik i Pandi Laços dhe televizionit KLAN, në përzgjedhjen e këtyre mysafirëve?
Kjo do të mund të përpihej disi, sikur në emisionet e deritashme të ishin ftuar yjet e muzikës nga vende të tjera, qoftë edhe ballkanike, si Kroacia, Sllovenia, Bosnja e Hercegovina, Mali i Zi, Maqedonia, Greqia, Turqia, Bullgaria etj. Pse kaq dashuri, në veçanti Pandi Laço, për kulturën serbe dhe për Zdravko Çoliqin? Apo, mos ndoshta kjo është derivat i dashurisë që ai mund të ndiejë për vetë shtetin serb? Me çfarë Zdravko Çoliq është më i njohur se, për shembull kroatja, Tereza Kesovia, apo boshnjaku, Dino Merlin? Edhe mosha e Zdravkos është shqetësuese për Pandi Laçon, si dhe udhëheqësen tjetër, e cila, sa nuk iu ngjit për trupi Zdravkos, nga imponimi i ulët publik. Qe do, mosha e Zdravkos është e tillë që, as zbulimi i Ferid Muratit nuk i hyn në punë udhëheqëses së emisionit.
Më herët, edhe Goran Bregoviqi ishte mysafirë në Tiranë, i cili e “kalli” me kallashnikovin e tij atmosferën në kryeqytetin shqiptar. Këtë gjë pritet ta bëjë edhe Zdravko Çoliq, në koncertin që u paralajmërua se do të mbahet në Tiranë. Po me këto veprime, ideatorët e thirrjes së Goran Bregoviqit dhe Zdravko Çoliqit, vërtetë ia kanë nxjerrë fundit, edhe për faktin se të dy janë meshkuj, kështu që edhe pse ky veprim nuk është në kundërshtim me parimet e Ahtisaarit, do të duhej që në radhë ta thërrisnin edhe Svetlana Veliçkoviq-Razhnjatoviqin, e njohur si CECA.
Këtë etika e Pandit mund ta durojë, jo vetëm për faktin se ka qenë gruaja e Zhelko Razhnjatoviq – Arkanit, por edhe për faktin se diva e muzikës serbe CECA, është vejushë. Shqetësuese ishte edhe fakti se publiku në sallën e TV Klan, ishte kryesisht nga “napolitankat e dala afatit”, sikurse vetë mosha e Zdravkos, të cilat i dridhnin mishrat e gjymtyrëve të stërtrashura. Kësisoj mund të veprojnë vetëm palaçot, si Pandi Laço, të cilit nuk i bie ndërmend që, në edicionin e margaritarëve të muzikës botërore, të prezantojë edhe këngë nga muzika gjermane, krahas prezantimit duke filluar nga muzika ruse, muzika latine, (argjentinase, meksikane etj), muzika amerikane, muzika angleze, muzika ballkanike (greke, turke etj), muzika italiane, muzika franceze, muzika spanjolle, muzika cigane, muzika shqiptare dhe, çuditërisht, siç e pati konceptuar edhe muzika kosovare. Pra, Pandi Laço nuk pati mundësi apo dëshirë që ta prezantojë muzikën dhe këngët gjermane, qoftë duke përfshirë edhe atë austriake e zvicerane, për arsye të cilat mund t’i dijë vetëm Pandi Laço.
Përderisa, në këtë ngjarje kulturore paska pasur vend edhe për muzikën cigane, ku prezantoi edhe ylli i kësaj muzike, Esma Rexhepova, e madje një këngë e pati kënduar edhe, Eli Fara, për ç’gjë nuk ka asgjë të keqe. Atëherë, si është e mundur që, Pandi Laço me stafin e tij, ta fyejë dhe injorojë kulturën gjermane në përgjithësi dhe muzikën gjermane ne veçanti. Interpretues nga këngëtarët shqiptarë, sigurisht që ka pasur të mjaftueshëm, ndër të cilët po ja përmendim vetëm, Miriam Camin, si dhe vetë, Eda Zarin, të cilën e ka në juri profesionale, në emisionin “Kënga Ime”. Dhe, vërtetë, a mund të veprojë kështu ndonjë palaço tjetër, pos Pandi Laços?

Leave a Reply