Pa vetëdije kombëtare!

alma lama deputeteNga: Alma LAMA


 Para pak ditësh, isha në vizitë zyrtare në Norvegji. E shfrytëzova rastin të njihem më nga afër me këtë vend bujar, i cili në Shqipëri dhe Kosovë po investon miliona euro dhe që, 7 % të buxhetit të tij vjetor, ia dedikon misionit tepër fisnik, humanizmit. Norvegjia wshtw një vend që e ka refuzuar pjesëmarrjen në familjen evropiane, për sa i përket bashkimit ekonomik , por që në çdo listë të vendeve më të mira në botë, për të jetuar, renditet në numrat e parë. Nuk ishte vështirë për ta kuptuar çelësin e këtij suksesi të jashtëzakonshëm. Pasuri natyrore, prodhime vendore, vetëdije e lartë kombëtare. Kjo e fundit, tepër e rëndësishme për dy të parat. Përtej admirimit për këtë vend, secilit mendja i shkon tek vendi i tij, se përse jemi këtu kwtu ku jemi? Çfarë mund të ishte bërë dhe nuk u bë? Kush na pengon dhe pse?
Për mua, përgjigja është VETVEVTJA. E kjo përgjigje është, disi plëngprishëse të thuhet pikërisht nw ditwn e festws, si kjo e 28 Nëntorit, të cilën në Shqipëri e festojnë si festa e Pavarësisë, e në Kosovë, ku pavarësia erdhi rreth 100 vjet më pas, si Festa e Flamurit. Por, kjo datë nuk është dyzimi i vetëm kombëtar, kështu që nuk po merrem me të.
Një vit më parë, ne shqiptarët festuam 100-vjetorin e pavarësisë së shtetit shqiptar. Festa ishte e bukur. Personalisht, kam festuar me gjysmë zemre. I jam bashkuar entuziastëve, por njëkohësisht kam qëndruar afër të brengosurve. E njëjta ndjenjë më përcjell edhe këtë vit.
Këtu nuk kam ndërmend të flas për arsyet, se përse ne shqiptarët duhet t’i gëzohemi festës, por njërën kurrsesi nuk mund ta anashkaloj. E kemi rikthyer Kosovën. Pjesa tjetër e territoreve autoktone shqiptarëve, ende mbeten si më 1913, kur fatkeqësisht trungut iu prenë degët.
Në këtë 101 vjetor, është vetëdija jonë kombëtare, ajo për të cilën dua të flas. Të thuash na mungon plotësisht, do të ishte nihilizëm, të thuash e kemi me bollëk, do të ishte mashtrim. Do të isha e lumtur të ishim, diku në mes, por jo. Jemi diku afër mungesës. Ja pse. Shqipëria, prej së paku 20 vitesh dominohet nga politika konfliktuale, institucione që nuk funksionojnë, ligji i cili nuk respektohet, klane të krimit, ekonomia gri dhe e zezë, qytetarët që nuk bëjnë presion për mirëqeverisjen, media të kapura nga krimi dhe politika, mungesë dinjiteti shtetëror herë pas here, politika gati të nënshtrimit me fqinjët, një diplomaci e dobët, mungesë fuqie përbashkuese e kombit në rajon, treg i vendeve të tjera, papunësi e thellë, retorikë boshe e bashkëpunimit me Kosovën etj. Të gjitha këto, nuk janë atribut i qeverisë akuale por i gjithë tranzicionit post-komunist, i cili zgjati shumë, sepse diktatura ishte më e egër, por edhe sepse vetëdija jonë ishte dhe është e ulët.
Kosova e pati historinë më të vështirë, lufta dhe përgjakja, plagët, dhimbja që vazhdon, lindja e shtetit mes një mijë e një peripecish. Ndërtimi i tij nuk ka qenë kurrë një mision i lehtë, por mungesa e një politike vizionare, po e bën të pamundur shtetin e Kosovës.
Sot, në mungesë të vetëdijes shtetërore dhe kombëtare, ky shtet po nëpërkëmbët nga Serbia dhe po e fut veten në udhëkryqin e madh e të rrezikshëm të identitetit. Kosova sot, në sajë të politikanëve injorantë, interesxhinj, pragmatistë të skajshëm, por dhe qytetarëve të pavetëdijshëm, rrezikon ta lërë rrugën evropiane dhe të rrëshqasë në rrugën pa kthim të rrymave totalitare fetare islamike që janë gjallëruar më shumë se kurrë. Kosova, sot është vendi që thikat po i ngulen pas shpine pabesisht, dhe ajo nuk po bëzan. Kur të nxjerrë ulërima, do të jetë bërë shumë vonë. E atëherë, ata që e ndihmuan dje, nuk do t’i ketë më pranë. Të tjerët na diskriminojnë. Shqiptarët e Luginës së Preshevës janë të pushtuar të padeklaruar, shqiptarëve në Mal të Zi po iu zvogëlohet rrethi, ndërsa ata në Maqedoni, i shoh në qorrsokak, duke bërë përditë vetëvrasje politike.
Shqipëria dhe Kosova, sot nuk po dinë ta shfrytëzojnë aleancën me Perëndimin, aleancë e cila nuk u ndërtua, as lehtë e as vetvetiu, siç mendojnë disa naivë. Kurrë ndonjëherë në histori nuk kemi qenë më me fat ne shqiptarët, e kurrë ndonjëherë në histori s’kemi qenë më të pavetëdijshëm për këtë fat. Te kjo mungesë vetëdijeje e ka shpjegimin edhe sjellja me shtetet tona, edhe sjellja me aleatet tanë, edhe sjellja me vlerat perëndimore. “ Ne e fituam luftën, ju duhet ta fitoni paqen”, pati këshilluar presidenti amerikan, Bill Klinton. “Do të ndihesha i dëshpëruar për ndihmën e dhënë për njerëzit e Kosovës, nëse rezultati do të ishte ekstremizmi islamik”, porosit miku tjetër i shqiptarëve, James Rubin.
Ne jemi të pavetëdijshëm se aleancat janë si kështjellat, mund t’i marrësh lehtë, por t’i mbash është punë shumë më e vështirë. Brenga ime është se ne po i zhgënjejmë përditë aleatët, me gabimet tona të vogla dhe të mëdha. Më bie shpesh ndërmend fjalia e ministrit të Jashtëm francez, para pak muajsh në Prishtinë, kur tha “Ju nuk na keni zhgënjyer asnjëherë”. Kuptimi mes rreshtash ishte “Ju po na zhgënjeni përditë”. E pra, as 101 vjet pas pavarësisë së shteti shqiptar e më shumë se 5 vjet të shtetit të Kosovës, ne nuk kemi një agjendë të interesave kombëtare, një agjendë të përbashkët, ku të përcaktojmë edhe rrugën edhe destinacionin. Pa të, nuk e shoh suksesin. Do të ishte mençuri, po ta fillonim me arsimin…

Leave a Reply