Preshevë, 31 gusht 2014 – Nxënësit shqiptarë në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, të hënën do t’i kenë librat në gjuhën shqipe. Kështu kanë paralajmëruar autoritetet serbe, si reagim ndaj protestës që është paraparë të organizohet nga shqiptarët, në ditën e parë të mësimit.
Nxënësit e të gjitha shkollave fillore dhe të mesme në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë kanë paralajmëruar se të hënën, ditën e parë të vitit të ri shkollor, do ta pezullojnë mësimin, nga ora 10:00 deri në orën 12:00, për shkak se, siç kanë thënë ata, mungesës së librave në gjuhën amtare. Përfaqësuesit e shqiptarëve në pushtetin lokal dhe drejtorët e shkollave fillore dhe të mesme, kanë thënë se, në këtë mënyrë, duan t’i dërgojnë mesazhe autoriteteve në Beograd, për të cilat thonë se përsëri i kanë shkelur premtimet e tyre që, për nxënësit shqiptarë, do të përgatiten me kohë tekstet për ato lëndë që mungojnë.
Radio Evropa e Lirë në gjuhën serbe, ka raportuar se, nga Ministra e Arsimit e Serbisë, ka ardhur informacioni se, ditën e parë të shkollës, nga ora 8:00 deri në orën 10:00, filloristëve serbë dhe atyre shqiptarë në Bujanoc, do t’iu ndahen librat falas në gjuhët përkatëse.