Prizren, 29 qershor 2014 – Një person ka ndërruar jetë në spital dhe shtatë të tjerë kanë mbetur të plagosur, si pasojë e një përleshjeje që ka ndodhur sot në Prizren. Ngjarja e rëndë është karakterizuar nga shkëmbimi i zjarrit mes dy familjeve, ku fillimisht u raportua se janë plagosur 8 persona, përfshirë edhe një oficer policie. Por, më vonë është bërë e ditur se njëri nga të plagosurit nuk iu ka mbijetuar plagëve dhe ka ndërruar jetë në spital.
Sipas drejtorit rajonal të Policisë së Kosovës në Prizren, Nexhmi Krasniqi, deri tek zënka mes dy familjeve ka ardhur për çështje pronësore, ku janë përfshirë një familje nga komuna e Suharekës, e cila jeton në Prizren dhe një familje që jeton në qytetin e Prizrenit. “Nga familja Abdylaga janë katër të plagosur, ndërsa nga familja Berisha dy persona, babë e bir. Gjashtë të plagosurit po trajtohen në spitalin rajonal të Prizrenit, ndërsa një person, për shkak të gjendjes së rëndë, është transportuar për në QKUK. Ndërkaq, polici ka marrë plagë në këmbë, por është jashtë rrezikut për jetë”, ka thënë me herët Krasniqi, duke shtuar se personat e përfshirë në konflikt kanë përdorur armë automatike, pistoleta dhe mjete të tjera të forta.