Prishtinë, 07 shkurt 2020 – Në moshën 86-vjeçare, sot është ndarë nga jeta këngëtarja e mirënjohur e muzikës së mirëfilltë shqiptare, Nexhmie Pagarusha. Bilbili i Kosovës, ndërroi jetë në Prishtinë, pas një sëmundje të shkurtër, duke lënë pas një karrierë të bujshme muzikore që kanë ruajtur vlera dhe kanë lënë gjurmë në diskografinë e muzikës së mirëfilltë shqiptare.
Nexhmije Pagarusha, kishte lindur më 7 maj të vitit 1933 dhe ishte e martuar me kompozitorin e mirënjohur, Rexhep Mulliqin. Prej shumë kohësh e kishte fituar epitetin si “Bilbili i Kosovës”, pasi shpalosi vlera artistike gjatë gjithë karrierës së saj.
Nexhmie Pagarusha, shkollën fillore e kreu në Malishevë, më vonë u vendos në Prishtinë. Shkollimin e mesëm muzikor, solokëndimin, e filloi në Beograd, ku qëndroi për tre vjet por, për shkak të rrethanave jo të volitshme, e ndërpreu. Ajo filloi të këndonte që në fëmijëri por, karrierën e vërtetë, e nisi më 1948, si këngëtare e Radio Prishtinës. Ka kënduar në manifestime dhe në festivale të ndryshme në Kosovës dhe viset e tjera të ish Jugosllavisë dhe jo vetëm, në Bullgari, Turqi dhe disa shtete evropiane, si dhe në Lindjes së Afërt dhe Amerikë. bKëndoi mbi 40 vjet pa ndërprerë dhe, jo gjithnjë, në kushte të përshtatshme për një soliste si ajo. Repertori i saj interpretues është tejet i gjerë dhe i larmishëm, ku veçohen këngët “Ani mori nuse”, “Kur më del në derë”, “Metelikun ta kam falë”, “Po të pres te dega e fikut”, “Mora testinë”, “Kënga e Rexhës”, si dhe me saktësi e bukuri i këndoi këngët e përpunuara dhe të kompozuara nga bashkëshorti i saj, Rexho Mulliqi, ndër të cilat: “Lulëzoi fusha, lulëzoi mali”, “Zambaku i bardhë”, “Një lule që m’ka çelë tash”, por kënga “Baresha” u cilësua si xhevahir kolovature, e cila ruan elemente folklorike të këngës shqiptare. Ajo ka ushtruar edhe aktivitet prej aktoreje, duke u paraqitur në disa vepra skenike e filma, si “Tre vetë kapërcejnë malin”, “E kafshoja terrin”, “Fluturimi i Micakut” etj.
Vlerësimi i lartë dhe dashuria e madhe që kishin kritikët dhe publiku ndaj saj, bëri që ajo të gëzonte titullin “Bilbili i Kosovës”. Pagarusha, nga viti 1984 vendos ta përmbyllte karrierën prej këngëtareje dhe këtë ngjarje e shënoi me një koncerte të madh në kryeqytetin boshnjak, Sarajevë. Ajo ishte këshilltare në produksionin muzikor të Radio Prishtinës.
Ndahet nga jeta bilbili i muzikës shqiptare, Nexhmie Pagarusha!
POSTIMI I RADHËSTë premten të gjithë në shkollë!