MIRËSIA!

MIRËSIA!

Shkruan: Mirela NASI


• Sa ndjenjë e bukur, fisnike dhe madhështore është mirësia! Boshti esencial i saj, dashuria, si bekim për atë që jep dhe merr. Thesar vlerash i një shpirti të veshur me mantel të bardhë që depërton dritë të butë e të ëmbël, duke përkëdhelur gjithçka që prek. Pemë që lëshon fruta të ëmbla dhe që të mbetet gjatë në kujtesë shija e saj. Lule plot aromë, si dhuratë nga Zoti…
Kjo është ndjenja e vërtetë e mirësisë që zbukuron shpirtin. Jo thjesht një ndjenjë pozitive apo lidhje emocionale e shpirtit, por një art i bukur që përcjell ndjeshmëri, ngrohtësi dhe kuptim për qenien tonë njerëzore. Mirësia gjunjëzon ligësinë. Gjuha universale e saj është dashamirësia e vërtetë. Nuk mund ta imagjinojmë dot, se sa shumë ndryshon jeta e njerëzve në nevojë, me fuqinë dhe aftësinë e saj! Një buzëqeshje a një gjest mirësie, sado i vogël, lehtëson një shpirt të rënduar. Sjell shpresë dhe besim për jetën, si dhe dëshirën për të jetuar brenda kësaj bote.
Mirësia dhurohet pa zhurmë e bujë, por mbetet jehonë në kujtesën dhe shpirtin e njeriut që dhuron dhe atij që e merr. Nuk duhet të bëhet si maskë për t’u shfaqur në publik e as fasadë zbukurimi. Por, mirësia duhet të jetë mision human për të jetuar me dinjitet dhe mirëqenie e armoni shpirtërore.
Mjerisht, sot jetojmë epokën e një bote të egër, kuturu. Botë e rrëmujshme dhe e zhveshur nga çdo vlerë njerëzore. Sa e dhimbshme kjo! Trishtim i pamasë, kur shohim se si po maskohet realiteti i sotëm, po vishet me petkun e mirësisë, ndërkohë që shpirti po mbetet i errët dhe i mbushur me gjithçka antinjerëzore! Shpërfytyrim total. Akullnajë!
Jemi dëshmitarë i dukurive antinjerëzore. Dhunë kudo, abuzim, padrejtësi, mjerim. Vështirësohet gjithnjë e më shumë jeta e njerëzve në nevojë, për t’mos thënë po ngulfatet. Mirësia e shpirtit po zhduket gjithnjë e më shumë, duke e shndërruar njeriun në qenie të degjeneruar, deri në tretje morale, vetëm për t’u bërë i pushtetshëm. Sa e shëmtuar panorama aktuale, kur shohim abuzime në emër të mirësisë, duke e kthyer atë në instrument përfitimi, të joshur nga pushteti dhe fama.
Kurrsesi nuk duhet e nuk mund ta pranojmë një aktivitet me ego personale që humb motivet dhe cilësitë e një shpirti të vërtetë human! Mirësia është dashuri dhe nevojë për të kaluar situatat e vështira.
Nëse kthejmë vëmendjen në gjeneratën e të parëve tanë, do ta kuptojmë se mirësia ishte bukuri e shpirtit, kompleks vlerash të mëdha, zemër e hapur, solidaritet, bujarësi, humanitet, ndjeshmëri, njerëzi. Sot, pjesa e shëndetshme e shoqërisë, me formim dhe edukim të një shpirti të pastër, krenohet dhe ecën në gjurmët e mirësisë që mbolli brezi i ndritur i asaj epoke të artë. Është lumturi e madhe, t’i bësh mirë dikujt! Eja të kapemi dorë për dorë, solidarë dhe humanë, shpirtmirë e të dhembshur, të përcjellim më fuqishëm mirësi, dashuri dhe gëzim për brezat dhe epokat!
Bashkërisht, le të kontribuojmë për një botë me dashuri, pa të shpërngulur, pa refugjatë, pa të pastrehë e të pashpresë. Lum kush bën mirësi, fle i qetë e çohet i lumtur!

(Autorja është mësuese e gjuhës shqipe, në shkollën “Naim Frashëri”, në Macerata të Italisë, ku mësimet i ndjekin fëmijët e mërgimtarëve tanë. Pikëpamjet e shprehura në këtë opinion, nuk paraqesin domosdoshmërisht edhe pikëpamjet e redaksisë sonë)