Beograd, 07 gusht 2014 – Ministri serb i Punëve të Brendshme (MUP), Nebojsha Stefanoviq, ka thënë se i vjen keq që Serbia e ka hequr masën e dënimit me vdekje. “Mendimi im personal është se, krimet e këtilla dhe monstrat e këtilla, është dashur të ndëshkoheshin me vdekje. Më vjen keq që Serbia e ka hequr dënimin me vdekje, sepse shoqëria jonë ende nuk ka qenë e gatshme për këto parime evropiane”, ka thënë Stefanoviq, gjatë konferencës për media, lidhur me rastin e masakrimit të një vajze të re, trupin e së cilës policia e ka gjetur dje. Viktima, Tijana Juriq (15), ishte shpallur e zhdukur, që nga 26 korriku, dhe dje është gjetur e groposur në një vend të fshehur, ndërkohë është arrestuar vrasësi i saj, Dragan Gjuriq, një mishtor ky 34-vjeçar nga rrethina e Beogradit. “Shpresat tona se Tijanën do ta gjejmë të gjallë, u shuan përfundimisht. Ajo është vrarë dhe policia ka arrestuar monstrën, i cili e ka kryer këtë krim”, ka thënë Stefanoviq, duke shtuar se vrasësi është, Dragan Gjuriq (1980), mishtor nga Surçini, i cili është arrestuar të mërkurën. “Kur e takuam në vendin e tij të punës, ai krejtësisht i qetë po copëtonte mish dhe dukej larg nga ndjenja e fajësisë. Por, në testet poligrafike, ai dështoi në të gjitha pyetjet. Tashmë e dimë që ai e kishte vrarë këtë vajzë në arat e fshatit dhe e ka transportuar trupin e saj në afërsi të qytetit të Somborit, ku edhe e ka groposur”, ka thënë Stefanoviq, duke shtuar se ky person ishte i njohur për policinë edhe më herët, për disa vepra më të lehta që kishte kryer.