Tetovë, 24 mars 2015 – E lindur dhe e rritur ne Tivar të Malit të Zi, Mevlana Muçaj më shumë rri në Tetovë të Maqedonisë se sa në qytetin e saj. Kjo, sepse ajo është dashuruar me një biznesmen tetovar dhe, së shpejti pritet edhe kurorëzimi i kësaj dashurie.
Mevlana Muçaj, një kohë të gjatë merret me muzikën e drejtpërdrejtë (Live), ku këndon në mbrëmje të ndryshme rinore, si dhe nëpër ahengje familjare. Ajo është vetëm 23 vjeçare, por me muzikë ka filluar të merret që në moshën fëmijërore. “Muzikën e kam profesion të dytë në jetë, pasi ende jam studente në degën që gjithmonë e kam pasur ëndërr, mjekësinë. Ndërkaq, zërin e kam të dhuruar nga Zoti dhe e shfrytëzoj deri në maksimum, natyrisht jo edhe deri në prishjen e tij”, thotë Mevlana në fillim të bisedës me Radio SHARRI-n, duke shtuar se me zërin e saj dëshiron që t’i bëj të tjerët të ndihen mirë. “E dua shumë muzikën sepse ajo është i vetmi fryt që më relakson dhe më bën të ndjehem engjëllore. Bota e muzikës është pjesa ku unë kaloj përditshmërinë time. Të flasësh për muzikën është shumë e vështirë sepse, siç thotë një fjalë e vjetër popullore, ndjenjën e shijon dhe asnjëherë nuk mund ta shpjegosh”, shton me tej Mevlana, duke iu shmangur me mjeshtëri pyetjeve që kanë të bëjnë me jetën e saj private.
Megjithatë, redaksia jonë ka kuptuar se bukuroshja që po bën “kërdi” në Facebook, duke postuar foto tejet ekstravagante, madje edhe sensacionale, shumë shpejt do t’i japë fund beqarisë. Sipas burimeve tona nga njerëzit që e rrethojnë, muaji qershor do të jetë ai, kur Mevlana do të bëjë një dasmë madhështore, ashtu siç iu ka hije VIP-ave.
Bazuar në komentet që i bëhen nëpër fotot e postuara në Facebook, Mevlana ka filluar të marrë epitetin si “Kardashiani shqiptar”, për shkak të bukurisë dhe linjave trupore që ka. Vetë Mevlana shprehet shumë e kënaqur me turpin e saj. “Kur ke dëshirë dhe vullnet, arrin çdo gjë që ëndërron. Dhe, duket se ia kam dalë mbanë me synimet e mia. Prandaj, nuk habitem kur më krahasojnë me Kim Kardashian, pasi linjat trupore që posedojë kanë vërtetë ngjashmëri me të. Por, nuk them se ky ka qenë synimi im. Dua të jem vetvetja dhe të identifikohem me atë që jam në realitet”, thotë me modesti bukuroshja, Mevlana Muçaj. Ndonëse gjinia mashkullore dhe jo vetëm, e komplimentojnë në çdo çast Mevlanën për bukurinë dhe dukjen e saj, veçmas kur ajo poston foto sensacionale, në realitet ajo është një vajzë shumë e thjeshtë, e cila po e shijon famën në mënyrën më të mirë, duke mos anashkaluar edhe komunikimin me miqtë dhe fansat e saj në rrjetin social. Megjithatë, ajo thotë se i kushton mjaftë kohë edhe partnerit, me të cilin është e dashuruar “deri në veshë”. Thotë se po përjeton ndjenjën maksimale të dashurisë me personin, pa të cilin nuk e kalon asnjë ditë të vetme.
• Shiko pamjet VIDEO