Mësimi online, metodë alternative efikase

Mësimi online, metodë alternative efikase

Nga: Dr. Drita AVDYLI


• Ndër prioritetet më të mëdha të çdo shteti është procesi i arsimimit, edhe në situata të vështira siç janë këto që po kalojmë këto ditë. Arsimi është tepër i nevojshëm në të gjitha kushtet në të cilat mund të kaloj një vend, si rrjedhojë dhe vazhdimësia e tij është domosdoshmëri.
Sot arsimi online po diskutohet në të gjitha komunikimet akademike, televizive, studentore. Edhe ne në Universitetin Mesdhetar vazhdojmë mësimin online, si një dritare e favorshme për të mos humbur rrjedhën normale akademike. Mësimi online si një zgjidhje e menjëhershme nga institucionet arsimore u jep mundësi stafit akademik dhe studentëve, të mos e ndërpresin mësimin. Komoditeti me mësimin online, normalisht nuk mund të themi se është si në auditor, por duhet theksuar fakti se komunikimi me video është mjaft produktiv, duke e zbutur sadopak diferencimin e komunikimit edhe fizik në kushte të zakonshme. Jemi në situatë të vështirë dhe normalisht duhet kuptuar që roli ynë duhet të jetë, sa akademik po aq edhe social. Ne nuk jemi vetëm në rolin e pedagogut por duhet të krijojmë klimë të mirë bashkëpunimi mes palëve. Izolimet nuk janë të lehta, por kushtet teknologjike na mundësojnë t’i ruajmë të gjitha rrugët e komunikimit me studentët.
Universiteti Mesdhetar përcjell gjithë gadishmërinë për t’iu ardhur në ndihmë studentëve, duke dëshmuar një raport të ri mjaft efikas në këto javë mësimore. Ne si staf akademik e njohim formatin online dhe kjo na ndihmon ta çojmë edhe tek studentët në lehtësinë dhe familjaritetin universitar.
Si pedagoge, mendoj që ne si universitet kemi ruajtur një marrëdhënie tepër produktive me studentët, pasi atyre në kohë iu është dhënë literatura online, mësimi online dhe çdo paqartësi është kthyer në mundësi përmisimi. Kjo teknikë e re komunikimi ka sjellë një frymë tjetër në çdo universitet duhet ta pranojmë, angazhimi vazhdon të jetë korrekt nga të dy anët. Vlerësoj faktin që studentët shfaqin tepër interes dhe impjenjim, kjo është e mira e ruajtjes së ekuilibrave mes nesh, si në aspektin akademik ashtu edhe në atë human.
Mesimdhënia ëshrë art, si i tillë duhet parë në dimensione të komunikimit të gjërë dhe në shërbim të së ardhmes. Vlen të përmendim përgatitjen e menjëhershme të stafit tonë akademik dhe administrativ për ta kaluar këtë situatë delikate. Në asnjë moment nuk mungon vëmendja dhe përgjegjesia jonë për të qenë në kontakt me procesin e marrjes dhe përfitimit të plotë të njohurive.
Këtë vit edhe panairi i ideve VI do t’zhvillohet online, duke mos humbur asgjë të ndërtuar nga univetsiteti ynë. Ky panair u jep mundësi të gjithë studentëve tanë dhe të universiteteve të tjera që studentët të shpalosin idetë e tyre në shumë fusha të rëndësishme. Ky model i ri në të cilin ne jemi përfshirë, zotëron fuqinë e komunikimit të ri, i cili për ne të gjithë do t’shërbejë si një praktikë thelbësore për të arritur qellimet dhe rezultatet në çdo situatë.
Universiteti Mesdhetar ripret studentët të kthehen sa më shpejt në auditorë, që godina të zhurmojë serish nga bisedat e tyre, hapat e shpejtë nëpër shkallë, si dhe portat që vetëm lëvizin nga prania e tyre. Deri në atë ditë, ne shpresojmë që të vijnë të gjithë dhe të gjithë njëzëri të themi se ia dolëm.

(Autorja është pedagoge në Universitetin Mesdhetar të Shqipërisë. Pikëpamjet e shprehura në këtë opinion, nuk paraqesin domosdoshmërisht edhe pikëpamjet e redaksisë sonë)

KËRKO FJALËT