Mashtrimi politik me të ashtuquajturën Komunë e Gorës!

Mashtrimi politik me të ashtuquajturën Komunë e Gorës!

Nga: Beqir BEQAJ


• Këto ditë, nëpër rrjetet sociale, madje edhe nëpër portale të ndryshme, shumicës së të cilave nuk iu dihen pronarët apo porositësit e projekteve të tilla, po qarkullon lajmi se do të krijohet e ashtuquajtura Komunë e Gorës. Madje, sipas këtyre informacioneve, ajo do të bëhet me kërkesën e serbëve, si Komunë e këtij minoriteti, e që më pas do të inkorporohej në “Bashkësinë e Komunave Serbe” që pritet të ndodhë, herët a vonë!
I gjithë ky konspiracion ndërlidhet me çështjen e demarkimit të kufirit me Malin e Zi, për të cilin do të votojë edhe Lista Serbe, pasi të ketë marrë garanci se do të formohet Komuna e Gorës dhe një tjetër Komunë që është e banuar me serbë!
I pari që ka reaguar në një shkrim të tillë, ishte këshilltari nga radhët e boshnjakëve në Kuvendin e Dragashit, Velid Haxhisin, i cili vjen nga fshati më i madh i Gorës, Restelica. Ai ka thënë se nuk do të pranojnë kurrë që formimi i Gorës si Komunë në vete të bëhet objekt për llogaritë e serbëve. Më pas ka reaguar edhe kryetari i degës së LDK-së në Dragash, Selim Kryeziu, duke kritikuar këtë plan, siç e lansojnë mediat, e më pas edhe duke dhënë sqarime se sa e vështirë është krijimi i kësaj krahine, Komunë në vete. Kuptohet se në këtë, siç e çuan Edi Rama, kazan mediatik, nuk do të qëndronte pa komentuar edhe deputetja bukuroshe në Kuvendin e Kosovës, Duda Bale, e cila i përket komunitetit boshnjak. Ajo, duke e kundërshtuar këtë plan serb, vazhdon të lobojë për formimin e Gorës si Komunë, por thotë se ajo do të ndodhë sipas ligjeve të Kosovës.
Në fakt, as që mund të bëhet fjalë për këtë teori konspirative, të lansuar nga të ashtuquajturat media, jo pse e them unë por për 1001 arsye të tjera, për të cilat nevojiten shumë faqe shpjegim. E shpjegimi kryesor do të ishte fakti se Gora nuk mund të bëhet Komunë serbe por vetëm gorane apo boshnjake, ndonëse edhe këto variante vështirë se mund të realizoheshin, përsëri për 1001 arsye të tjera.
Ajo që duhet të jetë e vërtetë, gjithnjë sipas mendimit tim, është fakti se demarkimi tashmë nuk është vetëm çështje e brendshme e Kosovës, por kjo gjë ka kaluar edhe në përmasat ndërkombëtare. Thënë ndryshe, miqtë tanë ndërkombëtarë e duan sa më parë që demarkimi të votohet në Kuvend dhe të ecet përpara me proceset integruese drejt BE-së. Dhe, në kuadër të kësaj, zonja e hekurt, Angela Merkel, e ka “qortuar” kryeministrin serb, Aleksandar Vuçiq, për faktin se ky i fundit i ka urdhëruar deputetët serb që mos ta votojnë demarkimin. Madje, ajo e ka “urdhëruar” Vuçiqin që t’ua zgjidh duart deputetëve nga Lista Serbe që këta të fundit ta votojnë demarkimin. Në të kundërtën, duhet ta harrojnë se mund ta jetësojnë ndonjëherë “Zajednicën” e tyre të shumëkërkuar. Dhe, serbët e dinë mirë se zonja e hekurt asnjëherë nuk bën deklarata boshe, prandaj pritet që “urdhri” i sajë të rezultojë me uljen e bishtit nga serbët kryeneçë.
Ndonëse kryeministri ynë, Ramush Haradinaj, nuk i ka kënaqur pritshmëritë e shumëkujt, madje edhe të pesimistëve më të mëdhenj ndër ne, nuk ma ha mendja se do të ketë guxim ta bëjë një marrëveshje të këtillë, që një krahinë pa asnjë serb, siç është Gora, ta fusë në gjirin e Komunave serbe në Kosovë. Por, supozoj se gjithë ky pluhur rreth kësaj teorie është ngritur nga kundërshtarët politikë të tij, të cilët nuk zgjedhin as forma dhe as veprime për ta rrëzuar Haradinajn nga pushteti, ashtu siç bëri ky i fundit për ta rrëzuar, Isa Mustafën.
Por, rezultati i gjithë këtyre lojërave politike dhe kauza e vetme e partive politike dhe politikanëve tanë për ta kapur pushtetin, duket se e ka lodhur popullin, sidomos atë shtresë që nuk është fare e ndërlidhur me partitë politike apo ndonjërin nga politikanët. Popullata është lodhur aq shumë, sa që ka filluar ta urrejë Kosovën tonë të dashur, po aq sa e donte dikur dhe për të cilën ishte në gjendje ta sakrifikonte jetën e vetë. Secilin banorë që e pyet, thotë se nuk ka nga t’ia mbajë. Përndryshe do të ikte jashtë Kosovës, kudoqoftë! Kjo është rezultat se qytetarit i ka humbur shpresa dhe optimizmi. Qytetari është zhgënjyer me Kosovën dhe nuk iu beson premtimeve nga fushatat parazgjedhore, se e ardhmja do të jetë më e ndritur. E për ta bindur qytetarin se po ushqen mendime të gabuara, qeveritarët duhet t’i përvilen seriozisht punës për ta çuar përpara këtë shtet, për të cilin aq shumë është sakrifikuar populli shqiptar dhe jo vetëm. Duhet më në fund ta kuptojnë edhe qytetarët shqiptarë, edhe ata goranë dhe boshnjakë, se formimi i një Komune nuk ua zgjidh hallet dhe problemet atyre, por vetëm do t’ua trashë qafën politikanëve që do ta udhëheqin atë Komunë.

(Qëndrimet dhe opinionet e shprehura në këtë artikull, nuk i paraqesin domosdo edhe qëndrimet e redaksisë sonë. E gjithë përgjegjësia e shprehjeve, bie mbi autorin e këtij shkrimi)