Prishtinë, 23 dhjetor 2014 – Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, i cili tashmë drejton edhe Qeverinë e Kosovës, në shënimin e 25-vjetorit të themelimit të LDK-së, tha se LDK po e shënon këtë gjysmëshekull të ekzistencës, për herë të parë pas lufte, në krye të qeverisjes së vendit. “Po e shënon si anëtare e familjes së madhe të Partive Popullore Evropiane, me grupin e saj parlamentar prej 32 deputetëve në Kuvendin e Republikës së Kosovës dhe me lidership në nëntë komuna, e shtrirë në tërë territorin e Kosovës dhe në diasporë. Po e shënon me Forumin e Gruas, Forumin e Rinisë, Këshillin e Ekspertëve, si dhe me Fondacionin Ibrahim Rugova”, tha Mustafa, duke e vlerësuar këtë si kapacitet dhe seriozitet që ka kjo parti. “E gjithë kjo flet për themelet e forta të LDK-së, për anëtarësinë besnike, simpatizantët dhe votuesit e saj të përkushtuar dhe për lidershipin që gjithherë mbajti kursin e saj shtetformues e të qendrës së djathtë, duke arritur t’i kapërcej sfida jo të lehta të ndërtimit demokratik të vendit”, tha në vazhdim lideri i LDK-së njëherësh kryeministër i Kosovës, për të shtuar se një çerekshekull më parë, Ibrahim Rugova, bashkë me intelektualë të shquar të Kosovës, e krijoi Lidhjen Demokratike të Kosovës, lëvizjen e parë antikomuniste dhe properëndimore në këtë pjesë të Evropës Juglindore.
“LDK-ja u formua në mes dy epokave të mëdha e shumë të ndryshme, kur popujt e shtypur të Evropës Lindore po i shprehnin gjithnjë e më hapur kërkesat për lirinë e fjalës, për pluralizmin politik dhe hapjen ndaj botës perëndimore. Rënia e Murit të Berlinit shënoi shembjen e simbolit të shëmtuar, atë të ndarjes së kontinentit tonë në dy pjesë antagoniste. Në kontekstin tonë nacional, madje jo vetëm si simbolikë, 23 dhjetori i vitit 1989, shënon ndarjen përfundimtare të popullit të Kosovës nga periudha moniste 45-vjeçare dhe rreshtimin vendimtar përkrah familjes së qytetëruar e demokratike perëndimore”, u shpreh mes tjerash Mustafa.
LDK shënoi 25-vjetorin e themelimit
Leave a Reply
You must be logged in to post a comment.