Dragash, 08 korrik 2014 – Me kërkesën e kryetarit të Komunës së Dragashit, konform Ligjit për Vetëqeverisje Lokale dhe Statutit të Komunës, të martën është mbajtur mbledhje e jashtëzakonshme e Kuvendit të Komunës, në të cilën është shqyrtuar vetëm një pikë e rendit të ditës, ajo e Kornizës afatmesme buxhetore 2015 – 2017. Kundërshtimi i parë ka ardhur nga këshilltari i LDK-së, Kapllan Fetahu, i cili kërkoi sqarime nga kryetari se, përse është thirrë mbledhje e jashtëzakonshme, kur, sipas tij, kjo pikë ka mundur të shqyrtohej në një mbledhje të rregullt. Përgjigjja e kryetarit, Salim Jenuzi, ishte e thjeshtë dhe e shkurtë. “Jemi në muajin Ramazan dhe qëllimi ishte që të mos zgjatemi shumë në këtë çështje. Të debatojmë vetëm për këtë pikë dhe, nga sot do ta nxjerrim kornizën në debat publik”, tha Jenuzi.
Në vazhdim të debatit, shumica e këshilltarëve u sjndërruan në lokalistë, ku kërkesat e tyre u përqendruan nëpër fshatrat nga vijnë vetë ata. Sërish ishte këshilltari, Kapllan Fetahu, i cili kërkoi më shumë investime për fshatin e tij, Kukin, për të cilin tha se ka mbetur prapa vendbanimeve të tjera për një dekadë. Sipas kësaj logjike lokaliste, më të diskriminuar mbetën vendbanimet të cilat nuk kanë përfaqësues në legjislativin komunal. Këtë e potencoi këshilltarja e Koalicionit boshnjak, VAKAT, Zinaida Elmazi, e cila ua pa për të madhe kolegëve të saj që harruan se nuk janë përfaqësues të fshatrave nga vijnë por janë përfaqësues të popullit nga të gjitha vendbanimet. Megjithatë, shumica e këshilltarëve, ndonëse e potenconin në fillim se nuk janë lokalistë, propozimet e tyre i jepnin për fshatrat e tyre. Fati i vendbanimeve, të cilat nuk kanë përfaqësues në legjislacionin komunal, mbetet në parashikimet buxhetore që janë bërë nga vetë qeveria lokale, pasi për ndryshime dhe plotësime, nuk pati se kush të fliste. Banorëve të këtyre vendbanimeve iu mbetet që propozimet e tyre t’i paraqesin gjatë kohës kur Korniza do të jetë në debat publik me qytetarët.
Para se të votohej kjo kornizë, fjalën e mori zv-kryesuesi i Kuvendit komunal, Adem Hoxha, i cili tha se “do të duhej të ndryshohej kjo strategji e veprimit, duke iu rikthyer investimeve që sjellin punësimin e të rinjve”. Krejt në fund, kreu i Komunës, Salim Jenuzi, tha se kjo kornizë është vetëm si pikëorientuese dhe jo përfundimtare. “Qytetarët tashmë e kanë një bazë orientuese për t’i dhënë propozimet e tyre për plotësime dhe sugjerime rreth buxhetit”, tha Jenuzi. Pas kësaj, me unanimitet u miratua propozimi që korniza të nxirret në debat publik.